TIRANE- Çështja e vogëlushit tre vjeçar të prekur nga AIDS dhe trajtuar në emisionin "Urbanika" të A1 Report, është sjellë në qendër të vëmendjes në Komisionin e Shëndetësisë. Roland Bani, koordinator i projektit kombëtar të HIV/AIDS në ISHP ka deklaruar se nga ana mjekësore i është dhënë e gjithë ndihma e nevojshme mjekësore, por problemi ka çaluar në mbështetjen sociale që duhet ti kishte dhënë ministria e Mirëqenies. "Rasti në fjalë tregon se të prekurit me HIV nuk janë më vetëm një çështje e shëndetësisë por edhe social. Sa i përket rastit të Vlorës është ngritur një grup pune me përfaqësues të Bashkisë, shërbimit social dhe të shërbimit shëndetësor. Ndërsa 2 punonjës të programit Kombëtar të HIV/AIDS e kanë vizituar atë jo më larg se një javë më parë. Fëmijës i është dhënë e gjithë ndihma e duhur mjekësore, por problemi nuk ka ecur aq mirë nga ana e ministrisë së Mirëqenies, Shërbimit Social"- tha Roland Bani.