MIRDITE- Është përcjellë për në banesën e fundit kapedani i Mirditës Ndue Pjeter Gjomarkaj, i cili u shua një javë më parë në moshën 93-vjeçare në Itali. Në homazhet e zhvilluara në qytetin e Rrëshenit në nderim të luftetarit të shquar kundër regjimit komunist kanë marrë pjesë autoritete vendore, si dhe me qindra qytetarë të Mirditës. Në fjalën e tij historiani i zonës Nikoll Toma, si dhe drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, kanë vlerësuar figurën e kapedanit, si një nga luftëtaret më të zotë që i bëri ballë regjimit komunist, dhe që luftoi për lirinë e vendit të tij.
Ndërsa nipi i tij Filip Gjomarkaj, bën një rezyme të jetës së tij, duke deklaruar se me figurën e Ndue Pjetër Gjomarkajt duhet të krenohet e gjithë Mirdita.
Ndue Pjeter Gjomarkaj ishte larguar nga Shqipëria gjatë periudhës së regjimit komunist për të rikthyer sërish në vitin 1993, i cili u prit në vendin tonë si hero, pasi kishte luftuar shumë kundër regjimit të asaj kohe. Ai ka kontribuar gjatë këtyre viteve për shumë familje në nevojë në rrethin e Mirditës, duke i ndihmuar ata, ndërsa emri i tij do të mbahet mend gjatë për kontributin e dhënë për sjelljen e demokracisë në vendin tonë.