SHKUP- Një grup qytetarësh shqiptarë në Shkup kanë tentuar të rrënojnë përmendoren e mbretit serb Car Dushani, e cila u vendos disa ditë më parë në qëndër të këtij qyteti.
Ngjarja është regjistruar të premten në mbrëmje (6 dhjetor 2013) kur një grup me rreth 30 persona goditën me sende të forta dhe çekiçë përmendoren.
Mediat maqedonase kanë raportuar se në mesin e qytetarëve ka pasur edhe zyrtarë të BDI-së por edhe aktivistë të shoqatave joqeveritare.
Rasti është bërë i ditur nga disa qytetarë kalimtarë që kanë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë ndërhyrë duke parandaluar prishjen e përmendores.
Lajmi i transmetuar nga agjencia shqiptare e lajmeve në Maqedoni, INA, bën të ditur se përmendorja nuk ka pësuar dëme të rënda.
Përmendorja e vendosur në fillim të dhjetorit, ndodhej në mesin e 30 përmendoreve tjera në të ashtuquajturën Urën e Qytetërimeve në hyrje të ndërtesës së re të Gjykatës Supreme dhe Muzeut Arkeologjik të Shkupit.
Deri tani përgjegjësinë për vendosjen e kësaj përmendore nuk e ka marr askush përfshirë qytetin e Shkupit, Ministrinë e Kulturës apo edhe komunën Qendër. Kjo e fundit thekëson përmendorja është një ndërtim ilegal.
Ky akt vjen pas reagimeve të ashpëra që ka nxitur vendosja e përmendores tek përfaqësuesit e politikës shqiptare por edhe të shoqërisë civile në Shkup.