Ministritë dhe Tatimet në gjyq s' paguajnë faturat e ujit

2015-08-21 3

TIRANE- Administrata "Berisha", përveçse i ka lënë financat e vendit në gjendje katastrofike, nuk ka denjuar as të paguajë detyrime ndaj kompanive publike të shërbimeve. Në datë 4 dhjetor në Gjykatën e Shkallës së Parë janë paditur 5 institucione shtetërore nga "Ujësjellës-Kanalizime Tiranë" sh.a. për shkak se ato nuk kanë paguar shumën që i detyrohej kësaj kompanie publike shërbimi. "Ujësjellësi" ka kërkuar që organet e Drejtësisë të lëshojnë urdhra ekzekutimi, në mënyrë që shteti t'i përmbushë detyrimet financiare. Si për ironi, në listën e institucioneve që nuk kanë paguar detyrimet për ujin është edhe Ministria e Drejtësisë. Në listë ndodhet gjithashtu edhe Presidenca, institucion ky i cili është përfaqësuesi më i lartë dhe simbol i shtetit.

Lista e plotë e institucioneve të paditura në Gjykatën e Shkallës së Parë, për të paguar detyrimet ndaj ujësjellësit, janë Presidenca, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Enegjitikës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe, për më tepër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ky institucion ka për detyrë mbikqyrjen e pagesës së tatimeve dhe presupozehet të jetë model për sa u përket pagesës së detyrimeve ndaj shtetit, pasi u janë kryer shërbimet. Sikurse dëshmon edhe ky fakt, qeveria "Rama" përballet me probleme keqmenaxhimi të theksuara.

Siç e ka theksuar kryeministri Edi Rama, do të duhet kohë për të rimëkëmbur Financat publike. Nga ana tjetër ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se "koha kur ndërtohej sot dhe paguaje kur të doje ka ikur". E gjithë qetësia racionale që Qeveria po tregon kundrejt kaosit financiar është një tregues pozitiv për sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, e cila do të sjellë detyrimisht shlyerjen e të gjitha faturave të detyrimeve, qoftë të subjekteve private, qoftë të shtetit.