TIRANE- Ministri i Zhvillimit Ekonimik, Arben Ahmetaj, ka anulluar kontratën e firmosuar në muajin gusht nga qeveria në ikje e PD-së, e cila i kalonte konviktin e Gjuhëve të Huaja, universitetit privat "Luarasi". Kjo godinë e cila më parë strehonte konviktorët e gjimanzit të Gjuhëve të Huaja "Asim Vokshi", qëndronte prej tre vitesh e kyçur, tashmë pritet që t'u kthehet studentëve të sistemit publik.
Vendimi për dhënien me qira të kësaj prone publike një universiteti privat, u firmos në muajin gusht, nga qeveria në ikje e PD-së. Abuzimi ishte denoncuar më herët, gjatë 2012-ës, nga gazeta "Shqiptarja.com" dhe "A1 Report" për tjetërsimin jo vetëm të destinacionit, por edhe të pronësisë të konviktit të gjuhëve të huaja
Një vit më parë, kur ende ky konvikt nuk ishte privatizuar, Universiteti i Tiranës ka kërkuar pranë Bashkisë së Tiranës, e cila e kishte nën varësi, që nëse do të flitej për ndryshim destinacioni të kësaj godine, atëherë duhet të ishin ata përfituesit. Por asokohe kërkesa e tyre nuk u mor parasysh.
Sot, ata e konsiderojnë si të duhurin vendimin e ministrit Ahmetaj për anullimin e kontratës së qirasë me universitetin privat. "Ne nuk do të nxitohemi për një kërkesë të dytë, por do të presim se çfarë destinacioni do t'i jepet tashmë kësaj godine", na thonë përfaqësuesit e universitetit të Tiranës.
Fillimisht Bashkia e Tiranës e kyçi këtë godinë me pretendimin se nuk ka para për ta mirëmbajtur, ndërsa më vonë , në projektbuxhetin e bashkisë, u parashkia që ai të bëhej shkollë 9-vjeçare për këtë zonë.
Në kundërshtim të hapur me premtimet e Bashkisë së Tiranës dhe mes kundërshtimeve të forta, u vendos që kjo godinë t'i jepej një universiteti privat, kontratë e cila tashmë është anuluar nga qeveria e re.