Qamili heshtë për ndarjen e posteve

2015-08-21 3

Zv/Ministri i Punëve të Brendshme Zemri Qamili edhe sot nuk deshi të komentonte ngecjet në procesin e ndarjes së posteve në eshalonin e tretë në këtë dikaster. ALSAT M mëson se në këtë garë vazhdon taktizimi dhe konkursi i emërimeve, por nuk ka të dhëna konkrete. Kujtojmë se Qamili para 3 javësh pati deklaruar se deri tani kanë përfunduar vetëm ndryshimet në eshalonin e parë dhe të dytë.

"Me këto ndryshime kemi mbajtur llogari për rritjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendet udhëheqëse ku kemi rritje të konsiderueshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dua të theksoj se kryeshef shqiptar kemi emëruar në krimin e organizuar, një kryeshef shqiptar në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup, një kryeshef dhe ndihmës-kryeshef në Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë dhe ndihmës/kryeshef në Sektorin e Punëve të Brendshme në Ohër" , deklaroi kohë më parë Zemri Qamili, Zv/Ministër i Brendshëm.

Nga 12 sektorët që funksionojnë në SPB-në e Shkupit, pas këtyre ndryshimeve, shqiptarët do të udhëheqin 3 prej tyre, që do të thotë se shtohen me një shef sektori më shumë. Në nivel të ndihmësve të tyre, mbetet vetëm një shqiptar. Ndryshime ka pësuar edhe Drejtoria për Siguri Publike e cila është ristrukturuar nga 3 në 6 sektorë. Sektorët do të udhëhiqen nga 6 ndihmës/drejtorë për Siguri Publike, ku vetëm njëri prej të cilëve do të jetë shqiptar. Valmir Kuçi