TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta si kontribuuesit më të mëdhenj të korrupsionit. Gjatë një konference për median, Bylykbashi tha se, "bashkëkryeministrat Rama dhe Meta janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së perceptimit të korrupsionit në Shqipëri. Kur shqiptarët e shohin korrupsionin me zë dhe figurë, perceptimi i tyre për korrupsionin ngjit shkallët, ndërsa besimi i tyre në institucione bie".
"Nëse qeveria blen votat si në Korçë, mes shqiptarëve është ulur këmbëkryq forma më e egër e korrupsionit, korrupsioni politik, që është nëna e të gjitha formave të korrupsionit dhe keqqeverisjes", bëri të ditur Bylykbashi nga selia e PD.
"Kur Policia e Shtetit vihet nën kapistallin politik të qeverisë, kur në krye të saj vihen numëruesit e parë dhe donatorët e partisë në pushtet, mesazhi që marin shqiptarët është se duhet të jenë të bindur dhe të paguajnë haraç tek taksidarët e qeverisë. Kjo vetëm rrit perceptimin e korrupsionit. Nëse në krye të Albpetrolit vihet shërbëtori i Kokëdhimës, kur në krye të tatimeve dhe doganave emërimet bëhen sipas kritereve të klientelizmit dhe militantizmit, perceptimi i korrupsionit veçse rritet", tha Bylykbashki.