Ngecje në ndarjen e posteve në MPB, hesht Qamili

2015-08-21 1

Ende nuk janë finalizuar vendimet e fundit për ndryshimet kuadrovike në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup. Zv/Ministri i Brendshëm Zemri Qamili gjatë një bisede telefonike tha se vazhdon shqyrtimi i kuadrove dhe garantoi madje, se do të mbahet llogari për përfaqësimin e shqiptarëve në SPB-në e Shkupit. Por siç mëson ALSAT-M për momentin po bisedohet për eshalonin e tretë, për ku edhe po zhvillohet një konkurs i brendshëm. Përveç rivaliteteve individuale, po zhvillohet edhe një betejë dhe për shifrat etnike brenda sektorëve. Zv/Ministri i Brendshëm Zemri Qamili edhe sot nuk deshi të prononcohej para kamerës, por tha se deri tani kanë përfunduar vetëm ndryshimet në eshalonin e parë dhe të dytë, të cilat i kishte komentuar kohë më parë. Nga 12 sektorët që funksionojnë në SPB-në e Shkupit, pas këtyre ndryshimeve, shqiptarët do të udhëheqin 3 prej tyre, që do të thotë se shtohen me një shef sektori më shumë. Në nivel të ndihmësve të tyre, mbetet vetëm një shqiptar. Ndryshime ka pësuar edhe Drejtoria për Siguri Publike, e cila është ristrukturuar nga 3 në 6 sektorë. Sektorët do të udhëhiqen nga 6 ndihmës drejtorë për Siguri Publike, ku vetëm njëri prej të cilëve do të jetë shqiptar. Valmir Kuçi