Jo vetëm institucionet publike, por edhe kompanitë aksionare të cilat janë kryesisht në pronësi të shtetit, sipas Naser Zyberit, i cili ishte pjesëmarrës në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit, kanë detyrim që ta respektojnë parimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike. Nevoja për një interpretim të tillë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit u imponua pasi kompania aksionare MEPSO, e cila është në pronësi të plotë të shtetit, refuzoi që të japë informacion në lidhje me faktin se sa të punësuar shqiptarë ka kompania, me arsyetimin se për ta nuk vlen parimi i përfaqësimit të barabartë, sepse ato janë shoqatë aksionare, e jo ndërmarrje publike.
"Gjithçka që paraqitet si resurs publik, gjegjësisht shtetëror, patjetër duhet ti respektojë rregullat e sistemit politik dhe kushtetutës, ku thuhet se është i nevojshëm përfaqësimi adekuat, pavarësisht a bëhet fjalë për organ të administratës, ndërmarrje publike, shoqëri aksionare ose formë tjetër organizimi", tha Naser Zyberi, pjesëmarrës në përgatitjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Zyberi thekson se edhe në të gjitha ato kompani ku shteti ka pjesën më të madhe të aksioneve nuk mund e të mos respektohen dispozitat e miratuara për përfaqësim të barabartë. Qëndrim të ngjashëm ka edhe Lubomir Fërçkovski i cili gjithashtu ka qenë një ndër hartuesit e MO-së.
"Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ka zgjidhje konkrete për shumë raste, por sipas analogjisë së zgjidhjeve kryesore, del se shteti në të gjitha situatat ku ka ndikim dhe ka pronësi dominuese, pavarësisht si quhet firma dhe a është ajo ndërmarrje publike apo shoqatë aksionare me pronësi shtetërore, e ka për obligim ta zbatojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, para së gjithash, të shqiptarëve si bashkësi më e madhe jo shumicë dhe më pas edhe ndaj të tjerave bashkësi më të vogla", deklaroi Lubomir Fërçkovski, profesor universitar.
Për dallim nga MEPSO, në kompaninë tjetër shtetërore ELEM, prej ku edhe kërkuam të dhëna, thonë se po punojnë për mbledhjen dhe përzgjedhjen e tyre dhe kur do të jenë gati do të na i dorëzojnë. Përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik është në një nivel të ulët që theksohet edhe në raportin e vitit të kaluar të Avokatit të Popullit. Disa nga institucione prej të cilave kemi marrë të dhëna përkatëse për përfaqësimin e drejtë, pranojnë se kjo nuk është e kënaqshme, por theksojnë se po punohet në rritjen e numrit. Natasha Stojanovska