BULQIZË - Nuk i lënë të futen në galeri, 50 minatorë të Bulqizës janë futur në grevë urie. Siç bëhet e ditur nga Bulqiza, minatorët e zonës D, nuk janë lejuar që të hyjnë në galeri për të nisur punën, nga policia private e kompanisë së kromit, Turalba. Pas këtij veprimi, në shenjë proteste ata kanë thyer ambientet e garderobës dhe kanë nisur grevën e urisë. Duke folur për A1 Report, drejtpërdrejti nga Bulqiza, minatorët kanë kërkuar që të zgjidhet çështja e firmës me qëllim që ata të punojnë normalisht, pasi kanë disa javë pa punë dhe janë pa ushqime. Minatori Hamdi Kurti, gjatë bisedës së tij drejtpërdrejt në A1 Report, ka deklaruar se, janë 400 frymë njerëzore që nuk kanë ushqim të hanë.
"Ne duam të punojmë e nuk duam t'ja dimë se e kujt është firma. Ne jemi 400 frymë që kemi ngelur pa bukë. Askush nuk ka jep ne dhe ne do të rrimë në grevë urie. Kërkojmë zgjidhje nga firma dhe nga Ministria e Energjitikës dhe Industrisë, e cila ka bllokuar punën në këtë minierë", tha Kurti gjatë lidhjes telefonike me gazetaren Sadiela Olloni.
Sipas tij, asnjë nga sindikatat nuk na ka ardhur në mbështetje. Duke folur për grevën ai tha se, " është nisur në orën 07:00 të mëngjesit e do e vazhdojmë deri sa të zgjidhim çështjen tonë. Neve na intereson që të shkojmë në punë dhe të marrim paratë. Vetëm firma jonë është e bllokuar, pasi të gjithë të tjerët janë në punë".