A1 Report - Trazirat në Ukrainë, protestuesit bllokojnë bashkinë e qytetit

2015-08-21 2

UKRAINË - Qindra protestues ukrainas kanë kaluar natën në Sheshin e Pavarësisë në Kiev dhe disa të tjerë kanë bllokuar Bashkinë e qytetit, ndërsa përgatiten për protesta të reja ku do të kërkohet dorëheqja e qeverisë.
Zëdhënësi i Parlamentit Vlodymyr Rybak tha se qeveria dhe opozita do të takoheshin për bisedime gjatë ditës së hënë, ku të gjithë do të kishin mundësinë të jepnin opinionin e tyre.
Por protestuesit kanë bllokuar thuajse të gjitha ndërtesat qeveritare. Lideri i tyre Yuri Lutsenko, para një turme prej mijëra njerëzish bëri thirrje se kjo nuk ishte një protestë, por një revolucion. Protestuesit brohorisnin 'Kievi është i joni' dhe vendosën disa flamuj ukrainas në Bashkinë e qytetit.
Lideri i opozitës, ish- kampioni i boksit Vitali Klitschko u bëri thirrje protestuesve mos të dorëzonin qendrën e qytetit.
Protestat paqësore të ditës së diel u kthyen shumë shpejt në të dhunshme kur protestuesit u munduan të kalonin barrikadat e Presidencës duke përdorur një eskavator. Policia u detyrua të përdorte gaz lotësjellës për të shtyrë prapa protestuesit.
Gjithçka nisi rreth një javë më parë kur Presidenti ukrainas Yanukovych vendosi të mos firmoste një marrëveshje tregtie me BE-në, e cila do të hapte kufijtë e tregtisë dhe të lehtësonte procedurat e lëvizjes së qytetarëve ukrainas për në vendet e BE-së.

Free Traffic Exchange