TIRANE- A1 Report publikon për herë të parë dokumentin zyrtar që vërteton se Tirana zyrtare ka dhënë pëlqimin për heqjen e simboleve kombëtare nga tekstet shqip në Luginën e Preshevës.
Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd që mban datën 3 prill 2011 e nënshkruar nga vetë ish ambasadori shqiptar Shpëtim Çaushi.
Dokumenti u bë publik gjatë një bisede në studion e A1 Report me Galip Beqirin, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe Prof.Dr.Sulejman Abazi të ftuar për të folur mbi protestat e ditëve të fundit në Luginë.
Mijëra shqiptarë dolën në protest në 28 nëntor duke kërkuar të respektohet e drejta e tyre për të përdorur simbolet kombëtare.
Shkresa i drejtohet Këshillit Nacional të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës, Milan Markoviç, ministër për të drejtat e pakicave në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen locale si dhe shefit të atëhershëm të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kyprios.
"Kemi nderin të tju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore"-thuhet në këtë document që disponon A1 Report.
Gjatë bisedës në studio profesor Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë. Në fillim të tetorit të këtij viti 6 mijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serve në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.