A1 Report - Kapja e 7 të burgosurve, Rama te RENEA:Rritja e pagave nis me ju

2015-08-21 3

TIRANE- Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishin sot paradite pranë repartit të forcave RENEA, në Linzë, për t'i falenderuar për angazhimin në arrestimin brenda 7 ditësh të 7 arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës në Korçë.

Kryeministri tha se ishte aty për tu përulur me mirënjohje dhe për t'i treguar se qeveria i mbështet dhe nuk harron detyrën e vështirë që ato kanë duke vënë në rrezik jetën në përballje me krimin.

Ai garantoi mbështetjen e plotë e të palëkundur jo vetëm duke mos i tradhëtuar por duke rritur dhe përfitimet e tyre financare që nga viti i ardhshëm. Madje Rama kërkoi dhe mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë, që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare është i vështirë, përmirësimi i kushteve financiare për policinë e shtetit të jetë i pari, qysh vitin tjetër kur ndoshta të tjerët duhet të presin pak.

"Ajo që ju dëshmuat duke kthyer prapa hekurave një grusht kriminelësh shumë të rrezikshëm është pathyeshmëria juaj dhe e shtetit përballë kujto që sfidon ligjet e bashkëjetesës dhe kërcënon shoqërinë. Këtë pathyeshmëri duam të nderojmë, të përkrahim e forcojmë bashkë me ju. Sigurisht i kemi detyrat e ndara, ju e keni të vështirë se sa herë që e keqja shfaqet, duhet t'i dilni përballë duke vënë në rrezik vetë jetën tuaj. Ju këtë e bëni në mënyrën më të shkëlqyer siç e bëtë në ato pak ditë kur dëshmuat se asgjë nuk mund t'ju zbrapsin në rast se ata që ju japin urdhrat nuk ua kanë me hile por janë në lartësinë e aspiratave e nevojave të këtij vendi.
Detyra jonë nuk është më pak e lehtë në kushtet e vështira ekonomike, financiare e morale për një shtet që po përpiqemi ditë natë ta rikthejmë në krye të detyrës, kemi detyrën që tju bëjmë të ndiheni përditë e më mirë jo vetëm moralisht por dhe ekonomikisht. Por kjo nuk është e lehtë pasi objektiviteti i kushteve ku ndodhemi imponon shumë pamundësi, por nuk është as e pamundur. Ju siguroj se jemi 100% të angazhuar dhe më besoni asnjë ditë nuk e harrojmë dhe as unë vetë e harroj se duhet të bëjmë më shumë për ju.

Jam i bindur që ju i dini vështirësitë i mirëkuptoni problemet e mëdha që kemi përballë të trashëguara nga e shkuara por e të diktuara nga vështirësitë e një vendi që ende nuk ka kapërcyer tranzicionin, dhe jam plotësisht i bindur se ajo që ju bëni dhe kjo vepër e jashtëzakonshme që ju bëtë ditët e fundit do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë, që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare është i vështirë, përmirësimi i kushteve tuaja financiare të jetë e para që ne do të bëjmë qysh vitin tjetër kur ndoshta të tjerët duhet të presin pak dhe me mirëkuptim të pranojnë se Policia e Shtetit dhe Forcat Special janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financier. E di që kur keni hyrë në radhët e policisë së shtetit nuk ju ka shtyrë përfitimi financiar, por pasioni për tu bërë polic i shtetit. "- tha Rama.

Free Traffic Exchange