A1 Report - Lobimi i Berishës, 2.4 mln USD për e-mail dhe dreka, ja kontratat

2015-08-21 2

TIRANE- Zbulohen hollësi lidhur me kontratat e nënshkruara nga ana e qeverisë Berisha me grupin amerikan Podesta-Patton Boggs. Ky grup është përdorur nga ish-kryeministri për të "gjuajtur" përkrahje ndër pushtetarë dhe media në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet aktivitetit të lobimit. Kjo është bërë duke paguar nga buxheti i shtetit, pra nga paratë e taksapaguesve shqiptarë miliona dollarë. Dhe, rezultati i punës, sikurse del nga ajo çka është raportuar nga kompanitë në zyrën amerikane të taksave, ka qenë jo vetëm i pamatshëm, por edhe fizikisht i papërfillshëm. Janë dhënë miliona dollarë në këmbim të disa dhjetra e-mailave dhe janë paguar udhëtime, dreka, darka e komunikime telefonike për disa dhjetëra takime të kryera me personalitete amerikane, që nuk mund të thuhet me saktësi se sa janë ndikuar nga lobimi i bërë nga Patton Boggs apo Podesta Group. Po kështu, në shpenzime janë përfshirë edhe "hyrje-daljet" e punonjësve të kompanive në Shqipëri.