Maqedoni-Shqipëri, projekte energjetike mes dy vendeve

2015-08-21 2

Maqedonia dhe Shqipëria formuan ekipe të përbashkëta për përcaktimin e detajeve teknike që të mund të realizohet projekti akumulacioni dhe hidrocentrali "Lukovo Pole". Ndonëse fqinji jonë perëndimor nuk është i kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë në projekt, megjithatë Shqipëria preket nga kjo pasi një pjesë e ujit të lumit Radikë do të mblidhen në akumulacion, me çka do të zvogëlohej derdhja në drejtim të saj. Sipas ministri të ekonomisë, Saraçini, dhe ministrit shqiptarë të energjetikës, shumë shpejtë do të zgjidhet edhe kjo çështje.

"Jemi marrë vesh të kemi ekipe teknike nga të dy palët, të cilët do të bisedojnë që të mos lihen punët rastësisë dhe spekulimeve, por të shihet saktë se cili do të jetë ndikimi i dy vendeve dhe mbi bazën e kornizës sonë ligjore dhe të drejtës ndërkombëtarë të shihet se çfarë mund të bëhet që të njëjtat të eliminohen dhe projekti të realizohet", u shpreh Damian Gjiknuri, Ministër i Energjetikës të Shqipërisë.

Sipas ministrit Saraçini, në Radikë ka rreth 17 metra kub ujë, ndërsa për këtë projekt nevojiten 2 metra kub, që do të thotë se Shqipëria do e marrë sasinë e duhur të ujit nga lumi.

"Dua të them se sot u morrëm vesh për formimin e një grupit të punës në nivel ekspertësh të cilët do të bisedojnë për çështjet e hapura, por edhe do të konsultohen me funksionerët dhe zyrtarët në Komunën e Dibrës dhe Komunën e Mavrovës, ndërsa këtu kemi edhe ekspertë të Bankës Botërore, të cilët do të shqyrtojnë ndikimin negativ në mjedisin jetësor dhe uljen e nivelit të ujit në Radikë, dhe në fund, pasi të gjitha gjërat të sigurohen dhe ne si funksionarë të jemi të sigurtë se nuk ka ndikime negative, atëherë do të japim dritë jeshile për realizimin e këtij projekti", deklaroi Valon Saraçini, ministër i ekonomisë.

Në takimin e sotëm të dy ministrave u bisedua edhe për projektin për lidhjen energjetike mes dy vendeve përmes një largpërçuesi 400 kilovolt nga Manastiri në Elbasan. Ai do duhet të përfundojë deri në vitin 2017. Maqedonia ka prezantuar edhe projektet për hidrocentrale të vogla dhe mundësia që në këto projekte të kyçen edhe kompani nga Shqipëria ndërsa disa veç më janë të pranishme në tregun vendor. Goran Temenugov