Jankullovska pranon: Ka incidente të pa zbardhura, policia nuk heq dorë

2015-08-21 1

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska më në fund komentoi moszbardhjen e shumicës së incidenteve ku viktima janë shqiptarët. Ajo nuk e mohoi dështimin e dikasterit që drejton për zbardhjen e incidenteve të rënda edhe pas 20 muajsh, por theksoi se angazhimi i policisë për zbardhjen e rasteve mbetet energjik, sikurse edhe ditën e parë të incidentit.

"Ka një numër incidentesh rreth të cilave ende punojmë, por ne nuk heqim dorë nga asnjë rast, deri sa të nxjerrim autorët para drejtësisë, përkushtimi ynë dhe energjia për zbardhjen e rasteve është e njëjtë si ditën e parë", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Edhe përkundër incidenteve të njëpasnjëshme në rrugët e Shkupit dhe autobusët urban, Ministrja Jankullovska vlerëson se policia me sukses po kryen detyrën e saj, dhe se masat e veçanta për parandalimin e incidenteve tashmë kanë filluar të japin fryte.

"Nuk pajtohem se masat e Ministrisë së Brendshme nuk japin frytet e saja, përkundrazi, të gjitha masat dhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë tanimë po japin rezultate e tyre, dhe mbi 150 persona janë sanksionuar për pjesëmarrje në incidente", u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Jankullovska porositi mediat dhe opinionin publik, si dhe partitë politike opozitare që të përmbahen nga komentimi joadekuat i incidenteve, sepse sipas saj kjo mund të ketë efekt në gjenerimin e incidenteve të reja. Ndërkohë edhe këtë javë kanë vazhduar incidentet rrugëve të Shkupit në disa raste të ndara, duke rezultuar me lëndime të rënda për disa të rinj. Ndër ta në gjendje më të rëndë është një 19 vjeçar nga Shkupi, i cili vazhdon të mbetet në komë si pasojë e lëndimeve në kokë. Benjamin Arifi