Aksion policor në mbarë Maqedoninë

2015-08-21 0

7 persona të arrestuar është bilanci i aksionit policor në shumë qytete të Maqedonisë që kishte në shënjestër pronarët e depove për hekurishte nën dyshimin se i përkasin një grupi kriminal mirë të organizuar për shmangien e tatimit ndaj shtetit, me çka kanë dëmtuar buxhetin shtetëror për rreth 75 milion denarë ose 1,3 milion euro. Ata dyshohen se veprimtarinë e tyre të blerjes së hekurave dhe metaleve të tjera e kanë zhvilluar ilegalisht duke mos iu shmangur tatimeve, ndërsa të njëjtën e kanë mbuluar me fatura false nga subjekte juridike të cilat kanë qenë pjesë e grupit të organizuar.

"Ministria e Punëve të Brendshme realizoi aksionin operativ "Hekurishte" me të cilën është zbuluar grupi kriminel i cili një periudhë më të gjatë i ka sjell dëme të dyfishta shtetit, edhe atë në aspektin financiar përmes shmangies së tatimit dhe në aspekt të stimulimit të tregtisë të jashtëligjshme me hekura dhe prodhime metalike, përkatësisht nxitjen e vjedhjeve të shpeshtuara të metalit", thonë nga MPB.

Ministria e Brendshme ka ngritur padi penale kundër 14 personave. Gjatë aksionit të sotëm policor janë arrestuar 7 persona, ndërsa vazhdon kërkimi për pjesën tjetër të grupit. Të gjithë të dyshuarit paditen për bashkëpunim në veprimtari kriminele, shmangie të tatimit dhe nxitjen e veprave të tjera penale. Shumica e të dyshuarve janë nga Shkupi, 4 të tjerë nga Ohri, 3 nga Velesi dhe një nga Krusheva. Benjamin Arifi