TIRANE- Autoriteti i Aviacionit Civil nuk pranon të japë asnjë shpjegim në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë skema e rimbursimit të pasagjerëve të "Belle Air" nga kompania italiane "Blu panorama". Interesit të "A1 report" ata i janë përgjigjur me mbyllje dyersh, duke na thënë se për çdo gjë duhet të drejtohemi vetëm pranë ministrisë së Transporteve.
Kompania shqiptare "Belle Air" dje pezulloi fluturimet për shkak të situatës së rëndë financiare, duke lënë në aeroport qindra pasagjerë, të cilët kishin prerë biletat e fluturimit me këtë kompani.
Ndërkohë burime pranë aeroportit të Rinasit shpjegojnë se gjatë ditës së sotme kompania italiane "Blu panorama" ka ulur 5 fluturime. Po ashtu mësohet se të gjithë ata pasagjerë të "Belle Air" që nuk arritën të udhëtonin dje, do të mund të ngrihen sot në ajër drejt destinacioneve të tyre me dy fluturime. Njëri prej fluturimeve është bërë në mesditë, ndërsa tjetri është parashikuar gjatë pasdites. Situata në aeroport ka qenë e qetë dhe pasagjerët e "Belle Air" nuk kanë pasur asnjë problem gjatë këtij tranziti nga kompanitë e fluturimit.