Tre te arratisurit nga burgu i Drenovës mund të jenë tashmë në Greqi. Dy janë shenjat që të bëjnë te dyshosh për këtë fakt sipas policisë së Korçës. Mushkat e vjedhura në një fshat pranë zonës së kërkimeve janë gjetur nga policia greke, ndërsa një bari i fshatit kufitar tha për policinë se kishte parë 3 persona te udhëtonin me to. Pas kësaj duket se policia shqiptare do te vazhdojë kërkimet, pasi asgjë nuk është e konfirmuar por të gjitha gjasat janë se tashmë Reis Haxhiraj, Edmond Lula dhe Gëzim Toma lëvizin në tokën greke. Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Përrenjasit. I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. Alsat-M