VLORË - Prindërit e Reiz Haxhirajt, i arratisur nga burgu i Drenovës, kërkojnë që djali i tyre të dorëzohet dhe të vuajë dënimin e marrë. Babai i tij, deklaron se ka 4 vite pa e parë të birin.
Kamera e A1 Report ka qenë mbrëmjen e djeshme në banesën e Reiz Haxhiraj, njërit prej 3 të arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Në këtë banesë jetojnë prindërit Namik dhe Rabie Haxhiraj, bashkë me dy vajzat e tij, në lagjen Rexhepaj në Selenicë të Vlorës. Ashtu të shqetësuar dhe të përlotur ata i bëjnë thirrje reizit që të dorëzohet dhe të kthehet në qeli, pasi duhet të vuajë dënimin që meriton.
Namik Haxhiraj, 80 vjeç është babai i Reizit, i cili ndonëse prej 4 vitesh nuk ka asnjë kontakt me të birin i kërkon atij që kthehet në burg. "Siç dolën nga burgu, të hyjnë prapë. Ka 4 vjet në burg dhe nuk e kam takuaer asnjëherë. Reizi të kthehet sërish në burg dhe pajtohem me mendimin e Sajmir Tahirit i cili ka thënë se nëse nuk do të kthehen në qeli, do të jetë vonë për ta", deklaroi babai i të arratisurit, Reiz Haxhiraj.
Edhe nëna e tij Rabie Haxhiraj, tregon se komunikimi i fundit me djalin ka qenë para tre javësh në telefon i bashkohet me apelin e të shoqit. "Në prill jam takuar për herë të fundit, para tre javësh më mori në telefon dhe më pyeti për babain. Unë i thashë ti mbaro detyrën që ke atje, e qetësova duke i thënë se, janë të gjithë mirë. I bëj thirrje që të kthehet sa më parë në burg, të zbatojë edhe urdhrat e ministrit Tahiri", thotë nëna e të arratisurit.
Në Selenicë të Vlores ne lagjen Rexhepaj, me dy prindrit e Reizit jetojnë edhe dy vajzat e të arratisurit nga burgu. Siç tregojnë prindërit, Reizi ishte shumë i lidhur me vajzat e tij Anën dhe Katerinën.
Reiz Haxhiraj akuzohet për pengmarrjen e një polici, dhe plagosjen e vëllait të tij. Ai është dënuar po ashtu, edhe për tentativën e vrasjes së punonjësve të policisë gjatë arrestimit të tij.