TIRANË - "4 projekte pilote të zhvillimit lokal". Kështu titullohet konferenca italo-shqiptare që është zhvilluar sot pasdite në Hotel Tirana International, organizuar nga Ministria e Turizmi dhe Zhvillimit Urban, Ambasada italiane dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Itali si bashkëfinancuese të këtij projekti.
GAIANI: PËRVOJË SHQIPËRISË NGA DECENTRALIZIMI YNË VENDOR.
"Shpresohej në një projekt europian që të mblidhte gjithë trashëgiminë që kemi kultivuar prej kohësh për ta zbatuar në Shqipëri për zhvillimin e territorit. Ky kalim fondesh europiane nuk u realizua për një sërë arsyesh. Morëm idenë për të punuar për eksperimentim. Të eksperimentonim në 4 zona, lokalitete në Shqipëri si eksperiment në nivel shkencor", do të thoshte në fjalën e tij ambsadori italian, Massimo Gaiani. Ai shtoi se "kjo nuk ishte një kontribut në zhvillimin e Shqipërisë, nuk e kemi këtë mendjemadhësi, por të jepnim përvojën se decentralizimi vendor është shumë më i përparuar dhe të shihnim si mund të zbatohej në kontekstin shqiptar. Jam i lumtur që arritëm në përfundimin e këtyre projekteve në komuna në Shqipëri dhe përmes tyre mund të fitohet një dëshmi që do thellohet më tej". Gaiani theksoi se "duke marrë shkas nga interesi i fuqishëm nga qeveria shqiptare për një strategji për territorin, mund të mbështeteni në ambasadën italiane, që të japim përvojën italiane, për të përforcuar funksionimin e autoriteteve vendore shqiptare dhe të fuqizojmë bashkëpunimin dypalësh".
GJERMENI: PLANI I PËRGJITHSHËM KOMBËTAR, SFIDA MË E MADHE PËR QEVERINË RAMA.
"Potencialet janë shumë të mëdha, mund të krenohemi, por s'jemi kujdesur siç duhet. Ambasada italiane ka dhënë përvjë dhe mund të japë në investime në territor dhe turizëm. Dera është e hapur për ta zhvilluar bashkëpunimin me projekte konkrete për mirëqeverisje dhe një jetesë më të mirë për qytetarët shqiptarë", u shpreh ministrja e MTZHU, Eglantina Gjermeni.
Ajo ka theksuar se "Plani i Përgjithshëm Kombëtar është sfida më e madhe për qeverinë Rama. Do dimë cilat janë potencialet, cila është zona më e mirë për turizëm, për bujqësi, prioritetet. Pa zhvillim të qëndrueshëm, pa kontroll cilësor mbi territorin, do ishte i pamundur zhvillimi i turizmit", tha Gjermeni.