Ministria e Brendshme edhe sot pa asnjë informatë rreth personave të cilët kanë mbajtur peng autobusin me numër 65 më 15 nëntor në fshatin Stajkovcë. Edhe pse banorët e Straçincës thonë se fëmijët e tyre janë mbajtur peng para syve të policisë, në Ministrinë e Brendshme jo vetëm që nuk i kanë të njohur autorët e incidentit, por nuk dihet nëse policia e ka regjistruar atë si rast.
"Aty ishin prezent edhe policia, një numër i madh i policisë. Dy orë e ndalojnë autobusin, nuk i lejojnë fëmijët të kthehen në shtëpitë e veta', tha Adnan Hajrullai, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Straçincës (15.11.2013).
Jo vetëm rasti i dy javëve më parë, por të pa zbardhura mbeten edhe rastet tjera prej shumë kohe më parë. Këtë e konfirmoi sot edhe zv/ministri i brendshëm Zemri Qamili, i cili nuk deshi të prononcohet para kamerës, por shkurt na tha se nuk është zbardhur asnjë rast.
Ndër më të rëndët ishte rrahja e rëndë e 15 nxënësve shqiptarë në autobusin numër 58 në Kisella Vodë, më 7 mars të vitit 2012. Edhe pse 15 fëmijë të moshës 16-17 vjeçare, mes tyre edhe një vajzë përfunduan në spital nga lëndimet e rënda trupore, 20 muaj pas ngjarjes policia nuk ka asnjë ide për sulmuesit.
Më 3 dhjetor të vitit 2012 u rrahën brutalisht 2 studentë turq nga disa huliganë të cilët po ktheheshin nga një ndeshje hendbolli. Asnjë i arrestuar edhe për këtë rast. Më 4 janar të vitit 2013, 4 të rinj shqiptarë u rrahën rëndë në Aerodrom të Shkupit. Edhe për këtë rast policia nuk ka informata për sulmuesit.
"Me ndodh shqiptarët ti rrahin maqedonasit, kapen menjëherë. Shqiptarët kur rrihen, kryerësit nuk kapen asnjëherë", u shpreh Naser Iljazi, babi i Riadit të rrahur (04.01.2013).
Më 28 shkurt të këtij viti, disa nxënës shqiptarë të shkollës së mesme 'Dimitar Vllahov' ishin sulmuar, ndërsa sipas nxënësve dhe familjarëve të tyre, policia kishte mbërritur në vendngjarje, me rreth 40 minuta vonesë, pas incidentit.
"Na morën neve, ata që u desh ti zënë, nuk i morën, me ne janë grindur diku për 20 minuta, na kanë mbajtur aty", tha një nxënës (28.02.2013).
Edhe ky rast nuk është zbardhur, edhe pse policia atë kohë deklaronte se ka të dyshuar. Ngjarje tjetër ka tronditur opinionin më 4 mars të vitit 2013 kur është sulmuar dhe gërvishtur me thikë 16 vjeçarja Arlinda Bajrami. Deri sot nuk janë zbardhur motivet e as autorët e sulmit. Përsëri incidente në autobusë më 10 korrik të këtij viti, kur dy të rinj shqiptarë nga Saraji janë rrahur brutalisht nga 4 persona me shkopinj bejsbolli në Aerodrom të Shkupit. Nuk ka epilog edhe për këtë rast.
Ndër rastet e rralla kur policia ka gjetur autorët e sulmeve brutale ndaj shqiptarëve kanë qenë rasti i rrahjes së Jusuf Islamit dhe therja me thikë e një nxënësi shqiptar në autobusin me numër 22. Por edhe pse janë identifikuar autorët, nuk ka informacione nëse ndaj është ngritur procedurë gjyqësore.
Në dhjetor të vitit 2012, grupi i tifozëve të Vardarit "Komitët" dogjën flamurin kombëtarë para syve të policisë dhe para objektivit të kamerë...