Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi shuan çdo mëdyshje. Nuk do të ketë datë për Maqedoninë në Samitin e dhjetorit të Bashkimit Evropian. Mbetja pezull e çështjes së emrit nga njëra anë, si dhe çalimi në përmbushjen e reformave nga ana tjetër, do të çojnë në dështim të Maqedonisë edhe në këtë Samit të Unionit. Megjithatë sipas zv/kryeministrit Besimi, qeveria do të shfrytëzojë periudhën deri në dhjetor por edhe pas saj, që të përmbushë detyrimet e përcaktuara në raportin e progresit të Komisionit Evropian, me qëllim që vendi të ketë një dosje sa më të pastër para shteteve anëtare të BE-së.
"Kjo gjithë çfarë thash kishte të bëjë me angazhimin tonë që duhet të bëjmë deri në Samitin e BE-së në dhjetor që të përforcojmë argumentet për reformat por edhe iniciativat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gjithsesi duke pasur parasysh edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet të gjitha janë në favor të fillimit të bisedimeve por kjo nuk do të thotë asnjë garanci që në dhjetor ne do të kemi datë dhe nuk duhet të krijojmë pritje joreale që në dhjetor nëse jemi në një gjendje të tillë pa ndryshuar asgjë Maqedonia të fillojë bisedimet me BE. Mirëpo ky fakt nuk duhet të jetë argument për ne për të mos vazhduar angazhimin tonë si në aspekt të reformave ashtu edhe në aspekt të emrit për të punuar drejt BE-së", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Besimi vlerëson megjithatë se, agjenda diplomatike e kreut të BDI-së nuk mund të quhet e dështuar dhe madje, avioni integrues i Ahmetit do të zbres një ditë në Bruksel. Në këtë kuadër Besimi përmendi interesimin e Gjermanisë, Francës dhe shteteve të tjera, në çështjen e emrit dhe intensifikimin e bisedimeve për zgjidhjen e tij.
"Në Bashkimin Evropian do të zbres kur Maqedonia t'i zgjidh këto tema. Mendoj që ambicia dhe optimizmi duhet të mbeten detyrë e jona, mirëpo një punë reale të cilën ne po bëjmë dhe agjenda e z. Ahmetit në këtë periudhë dha rezultate të veta duke nxitur iniciativa të BE-së...kjo është detyrë e jona, kjo është premtim që e kanë qytetarët se Maqedonia meriton të jetë vend i barabartë i BE-së dhe në NATO gjegjësisht ajo që shkruan në fjalinë e parë të Marrëveshjes së Ohrit që kjo marrëveshje paqësore do të mundësojë që Maqedonia të jetë anëtare e komunitetit euroatlantik dhe të ndaj vlerat demokratike të komunitetit euro-atlantik", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Besimi njoftoi se autoritetet vendore do të zhvillojnë një agjendë të ngjeshur diplomatike në vendet e BE-së, në periudhën që ka mbetur deri në Samitin e BE-së, që duhet të mbahet më 20 dhjetor, edhe pse nga ana tjetër, bisedimet Shkup-Athinë për emrin do të jenë të pushuara. Besimi garantoi se qeveria do të vazhdojë përmbushjen e detyrimeve për sa i përket lirisë së shprehjes, zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Hetimor, Kodit zgjedhor, pavarësinë e gjyqësorit etj. Semra Jakupi