A1 Report - Mblidhet grupi parlamentar i PD një minutë heshtje për Olldashin

2015-08-21 1

TIRANË - Partia Demokratike e ka nisur mbledhjen e grupit të saj parlamentar, me një minutë heshtje në nderim të deputetit, Sokol Olldashi i cili humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës, datë 20 nëntor 2013. "Të nderojmë kolegun tonë të dashur, deputetin që u nda nga jeta natën e zezë të së mërkurës. Të mbajmë një minutë heshtje në nderim të tij", deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit të PD-së, Basha tha se, kanë ardhur mijëra mesazhe ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të deputetit Sokol Olldashi.

"Mijëra mesazhe ngushëllimi i kanë ardhur këto ditë PD dhe mua si kryetar, nga qytetarë të thjeshtë brenda dhe jashtë vendit. Mesazhe kanë ardhur nga të gjithë, nga Kosova, Maqedonia, parti simotra, përfaqësues të vendeve mike, etj. Të gjithë janë bashkuar me dhimbjen tonë. Me dhimbjen e mbarë vendit. Në emrin tuaj, dua ti falenderoj nga zemra të gjithë për ngushëllimet e tyre".

Gjithashtu gjatë fjalës së tij, Basha ka kujtuar edhe momente gjatë bashkëpunimit me ish-ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, pasi sipas tij, ishin të dy të rinj që u lançuan në politikën e madhe nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

"Secili prej nesh dhe bashkë me ne, qindra mijëra demokratë, sjellim sot në mendje, episode të ndryshme të njohjes me Sokolin, të qeverisjes dhe të opozitës, gjatë këtyre dy dekadave të PD. Secili ka gjithçka të veten për të përkujtuar. Tërësia e episodeve është kujtimi i Sokolit. Kam edhe unë shumë episode për të kujtuar sepse na pat rënë shorti dhe nderi të lançoheshim të dy në politikën e lartë dhe nga lideri historik Sali Berisha", tha Basha gjatë fjalës së tij.

Basha tregoi edhe takimin e parë me Olldashin, ku ai tha se, u diskutua për ndryshimin e vendit. "Gjatë një takimi të parë, diskutuam për zhvillimet e Shqipërinë. Me Sokolin ndamë bindjen se përballë këtyre sfidave PD dhe grupi parlamentar do të vazhdojmë të qëndrojmë fort dhe fakte dhe duke bërë nul në këtë mënyrë, çdo përpjekje, për të krijuar përçarje për të krijuar opozitën e opozitës për të eleminuar PD-në që është edhe ëndërra e tyre e vjetër", theksoi në fjalën e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.