Irani dhe fuqitë e mëdha arritën marrëveshje

2015-08-21 5

Pas një kontesti të gjatë rreth programit bërthamor të Iranit, maratona e negociatave në Gjenevë solli marrëveshjen. Teherani do ta pezulloj programin bërthamor, kurse si kompensim, perëndimi do ti zbutë sanksionet kundër Iranit. Sipas marrëveshjes, Irani do të mund të arrijë deri tek fondet në vlerë prej 4.2 miliardë dollarë, të ngrira pas aplikimit të sanksioneve nga fuqitë perëndimore, që e akuzojnë se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, kurse do të lehtësohen edhe sanksionet për eksportin e naftës iraniane. Nga ana e vetë, Irani u obligua se nuk do të prodhojë uranium të pasuruar me më shumë se pesë për qind dhe u zotua të shkatërrojë rezervat që i pasuroi tashmë në 20 për qind. Presidenti amerikan, Barak Obama, e konfirmoi të drejtën e Iranit për të përdor energjinë bërthamore për qëllime paqësore, por shtoi se nëse autoritetet iraniane nuk e respektojnë marrëveshjen, pas gjashtë muajsh do të përballet me sanksione më të ashpra .

"Diplomacia e hapi rrugën për një botë më të sigurt. Edhe pse marrëveshja e sotme është vetëm një pjesë e angazhimeve tona të fundit, ky është një hap serioz i cili pas një dekade ndaloi programin bërthamor të Iranit. Irani më nuk do ti përdorë centrifugat për pasurimin e uraniumit dhe do të lejojë që inspektorët ndërkombëtarë të hyjnë në centralet bërthamore. Këto kufizime do të parandalojnë që Irani të prodhojë bombën bërthamore", deklaroi Barak Obama, president i SHBA-ve.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov e përshëndeti marrëveshjen kurse sipas Izraelit, ajo ishte një "gabim historik".

"Marrëveshja është arritur dhe e njëjta bazohet në një koncept që kohë më parë e propozoi presidenti, Vladimir Putin. Njihet e drejta e Iranit për të zhvilluar një program bërthamor për nevoja paqësore, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit, por i gjithë procesi do të kontrollohet nga inspektorët ndërkombëtare", tha Sergej Lavrov , ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.

"Ajo që është arritur nuk është marrëveshje historike, por një gabim historik. Sot bota është një vend më i rrezikshëm për të jetuar, sepse regjimi më i rrezikshëm në botë është një hap më afër për të prodhuar armën më të rrezikshme në botë. Për herë të parë, fuqitë kryesore ranë dakord që Irani të pasurojë uranium. Janë injoruar rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-ve, të cilat vetë i paraqitën", u shpreh Benjamin Netanjahu, kryeministër i Izraelit.

Sipas disa analistëve, pritet që përveç Izraelit, kritikat të vijnë edhe nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera më të vogla arabe në rajon, që kanë frikë nga ndikimi në rritje i Iranit. Përfaqësuesit e pesë fuqive me të drejtë të përdorimit të vetos në OKB: SHBA-të, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca plus Gjermania, si dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që prej të mërkurës zhvillonin negociata në Gjenevë me delegacionin e Iranit rreth zgjidhjes së përkohshme të kontestit shumëvjeçar. Petar Bllazhevski