Shqipëri, policia kap katër nga të arratisurit e burgut

2015-08-21 7

Policia e Shqipërisë ka arrestuar katër prej shtatë të arratisurve që kishin ikur të shtunën nga burgu i Drenovës. Gjithashtu janë gjetur dy automjetet, me të cilat kanë lëvizur të dënuarit pas arratisjes. Paraditen e së dielës autoritetet e rendit kanë zënë edhe tre prej arratisurve: Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri në një magazinë të braktisur në Përrenjas. Ndërsa, mbrëmë rreth orës 23.30, policia kishte bërë të mundur kapjen e njërit prej tyre, Artur Gora. Ai ishte kapur teksa po shkonte me një automjet drejt fshatit të tij të lindjes Pojan.

"Pa mbushur ende 24 orë arritëm të zbardhim zinxhirin e arratisjes, të vëmë para drejtësisë fajtorët e ngjarjes si dhe të kapnim katër prej të arratisurve. Policia e Shtetit është në këmbë dhe në gatishmëri për t'i shërbyer popullit. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët për ndihmën e dhënë, por dua të falënderoj edhe Partinë Demokratike që nuk priti të na kujtojë se shteti është shembur. Po, shteti është shembur sepse ne e gjetëm të shembur, por shteti është këtu për ti shërbyer popullit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë duke vënë papara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit. Ne jemi këtu, Policia e Shteti është këtu, ndërsa kriminelët do të jenë në burg, së bashku me ata që i kanë ndihmuar. I bëj thirrje të arratisurve dhe veçanërisht familjarëve të tyre që t'i dorëzojnë ata, sot pasi nesër do të jetë shumë vonë", deklaroi Sajmir Tahiri -- Ministër i Brendshëm i Shqipërisë.

Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, ishte "thyer" dje nga arratisja e 7 të burgosurve, disa prej tyre me dënim të përjetshëm. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 19.30 e ditës së shtunë, kur 7 të burgosurit nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kishin neutralizuar rojat e burgut, e më pas ishin larguar në drejtim të panjohur. Policia e shtetit, e ndihmuar edhe nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë RENEA, ngriti postblloqe nëpër akset kryesore kombëtare, rreth zonës së Korçës dhe atyre që komunikojnë me pikat kufitare. Po ashtu, janë njoftuar edhe autoritetet e rendit në Maqedoni e Greqi. Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë Nasip Naço, ka shkarkuar drejtorin e burgut të Drenovës dhe ka pezulluar nga detyra të gjithë titullarët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Ai tha se i gjithë personeli i burgut është arrestuar dhe do të përgjigjen para drejtësisë për mos zbatimin e ligjit dhe detyrave në vend roje.

"Kjo ngjarje evidentoi se sistemi i sigurisë dhe informacionit, nuk ka funksionuar, çka sjell si domosdoshmëri reformimin tërësor te Shërbimit te Kontrollit te Brendshëm, si shërbimi përgjegjës qe garanton marrjen dhe transmetimin e informacionit ne kohen e duhur. Jemi te vendosur qe te vëmë para ligjit çdo punonjës te çfarëdo niveli qofte ai, nga polici me i thjeshte deri te drejtuesit me te larte te këtij Institucioni, te cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre krijojnë terren e mundësi për ngjarje si ajo e ditës se djeshme. Jemi te vendosur dhe nuk do te tolerojmë asnjë rast te shkeljes se rregul...