Liqeni 'Treska', i kalon nën pronësi Komunës së Sarajit

2015-08-21 4

Me vendim të Qeverisë, Qendra rekreative Treska kalon në pronësi të Komunës së Sarajit. Këtë e konfirmoi sot për Alsat zëdhënësi qeveritarë Muhamet Hoxha. Vendimi është mirëpritur edhe nga kreu i Sarajit Bekim Murati, sipas të cilit me këtë është realizuar një kërkesë e kamotshme e komunës së Sarajit.

"Me qendrën rekreative sportive Treska në të ardhmen do të menaxhoj pikërisht Komuna e Sarajit. Qeveria e RM-së në seancën e fundit ka marrë vendim në të cilën e kalon në pronësi Qendrën rekreative Treska, komunës së sarajit. Njëkohësisht në të njëjtën seancë qeveria e RM-së obligon Komunën e Sarajit që të përgatit edhe planin detal urbanistik të kësaj qendre dhe njëkohësisht i rekomandon që të filloj procedurën për marrjen e lejes në ministrinë e mjedisit dhe planifikimit hapësinor për menaxhim me ujërat, pikërisht për menaxhim me liqenin", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës së Qeverisë.

"Për komunën e Sarajit ky vendim i qeverisë padyshim se është një vendim shumë i rëndësishëm i cili do të jetë shtytës i zhvillimit për vetë komunën e Sarajit. Ne si komunë e sarajit planifikojmë që në periudhën e ardhshme në mënyrë dinjitoze në forma të ndryshme të prezantojmë këtë kompleks dhe këtë qendër rekreative sportive përpara investitorëve dhe biznesmenëve si vendor ashtu edhe ndërkombëtarë", u shpreh Bekim Murati, kryetar i Komunës së Sarajit.

Kreu i Komunës së Sarajit Murati thotë se ka strategji se si të zhvillojë këtë qendër rekreative, ndërsa shtoi se për Liqenin e Treskës ka interesim të madh nga shumë investitorë të huaj. Murati pret që me investimet që do të bëhen në këtë Qendër rekreative, të zbutet edhe papunësia, duke parashikuar punësimin minimum të 110 personave.

"Mendoj se është indikator shumë i fuqishëm për një zhvillim të madhe dhe të hovshëm të Komunës së sarajit. Padyshim se do të ndikoj edhe në zbutjen e papunësisë. Me vetë faktin që do të hapen punësime të reja do të jetë një treg i ri dhe një mundësi e re për të gjithë banorët e komunës së Sarajit. Ne presim që vitet në vijim Komuna e Sarajit të jetë një atraksion i vërtet turistik, dhe një atraksion i vërtet edhe për investitorët e huaj", deklaroi Bekim Murati, kryetar i Komunës së Sarajit.

Liqeni i Treskës është ndërtuar në vitin 1978. Kompleksi përfshin sipërfaqe prej 4500 metra katrorë, prej të cilëve një pjesë janë sipërfaqe e gjelbër ndërsa pjesa tjetër i takon liqenit. Qendra rekreative ka punuar 1989. Bedri Rexhallari