Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës, sipas shifrave të cilat i paraqiti ministrja Elizabet Kançevska Milevska, arrin në 50 për qind duke respektuar kështu Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. Por Ministrja e Kulturës Kançeska Milevska, nuk saktësoi se sa prej shqiptarëve të punësuar në këtë ministri udhëheqin me ndonjë sektor.
'Është shumë i madh, e kam patjetër ta them, shumë më i madh se ato 20 për qind që parashohin procedurat kushtetuese, tek ne ky numër është shumë më i madh, mund të them se ndoshta përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është më i lartë se 50 për qind. Ne rregullisht i raportojmë avokatit të popullit lidhur me përfaqësimin e drejtë, kështu që e kam patjetër ta them se në pjesën e kulturës, në Ministrinë e Kulturës ky përfaqësim është shumë më i lartë nga ajo që lejohet me Kushtetutë', tha Elizabeta Kançeska-Milevska, Ministre e Kulturës.
Por avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, në emisionin e mbrëmshëm 'Rruga Drejt' publikoi të dhëna krejt tjera për përfaqësimin e shqiptarëve në Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, 82 për qind e të punësuarve në Kulturë janë maqedonas dhe vetëm 12 për qind shqiptarë. Alsat M mëson se shumica e shqiptarëve në këtë dikaster janë me vendim pune si bashkëpunëtor të rinj, gjegjësisht gëzojnë postet më të ulëta. Sipas informacioneve tona në këtë dikaster, vetëm 4 shqiptarë kanë poste udhëheqëse, edhe atë 1 është ndihmës udhëheqës në sektorin për integrime kulturore, 1është udhëheqës njësie po në këtë sektor, 1është këshilltar shtetëror si dhe sekretari shtetëror në Kulturë. Ministrja e kulturës Kançevska Mileska, nuk ka njohuri se sa shqiptarë janë të punësuar nëpër muzetë e Maqedonisë
'Unë mund tua them përqindjen e përgjithshme, por veç e veç për çdo muze, këtë duhet ta kërkoni nga drejtorët e institucioneve. Por përsërisë se ne sistematikisht, ndoshta edhe në çdo 3 muaj i japim raport deri tek avokati i popullit lidhur me përfaqësimin e përgjithshëm në sferën e kulturës', u shpreh Elizabeta Kançeska-Milevska, Ministre e Kulturës.
Sipas të dhënave të avokatit të Popullit nëpër Muzetë Maqedonisë përfaqësimi është kësisoj, 90 për qind të punësuar maqedonas dhe vetëm 2 për qind shqiptarë dhe është shumë largë asaj që garantohet me Kushtetutë. Valmir Kuçi