Ekstradohet Shipoviq, dërgohet në Shutkë

2015-08-21 0

Sot herët në mëngjes nga Austria në Maqedoni është ekstraduar kryesuesi i Këshillit të Komunës Qendër, Mirosllav Shipoviq. Ai është transferuar në Burgun Shutkës. Gjykatësi hetues pritet që të martën të marrë në pyetje Shipoviqin. LSDM-ja opozitare kërkoi që institucionet të sigurojnë kushte që Shipoviqi të mbrohet në liri, meqë në këtë mënyrë, pushteti dëshmon se qëllimi i saj është vetëm ta bllokojë punën në Komunën Qendër. Në mënyrë plotësuese, transferimi sekret i Shipoviqit është dëshmi se pushteti dëshiron të fshehë diçka, shprehen në LSDM.

'Qëllimet e pushtetit janë të qarta. Hapat që deri tani po i ndërmerr VMRO-DPMNE-ja përmes MPB-së dhe përmes këshilltarëve të saj në Qendër, qartazi tregojnë se pushteti dëshiron ta bllokojë punën e Komunës Qendër. Shipoviqi kurrë nuk ka pasur ndërmend të arratiset. Përkundrazi, pafajësinë e tij do ta dëshmojë para gjykatave të Maqedonisë. U bëjmë thirrje institucioneve të kryesuara nga VMRO-DPMNE-ja që të krijohen kushte që Shipoviqi të mbrohet nga liria. Në këtë mënyrë do të mundësohet zhbllokimi i Këshillit dhe vazhdimi i punës së tij në mënyrë të papenguar, në interes të qytetarëve të Qendrës", tha Damjan Mançevski, LSDM.

Për MPB-në nuk ka pasur asgjë kontestuese. Ministrja e brendshme Jankulllovska tha se opozita nuk i njeh ligjet.

'Konferenca e këtillë e tyre për media nuk është asgjë tjetër veçse edhe një tentim për presion të opozitës mbi institucionet. Por, është evidente se institucionet e ushtrojnë punën e tyre dhe nuk u nënshtrohen presioneve të cilat janë të shpeshta dhe u bënë rregull e sjelljes së LSDM-së. Për tajmingun, gjegjësisht për kohën e dorëzimit opozita do të duhej të dijë se linja e rregull nga Vjena për Shkup është çdo ditë, 365 ditë në vitin, njëherësh", deklaroi Gordana Jankulovska, ministre e Brendshme.

Reagoi edhe kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.

'U bëj thirrje institucioneve në shtet të kryesuara nga VMRO-DPMNE-ja që të mundësojnë mbrojtjen e Shipoviqit në liri. Jo vetëm meqë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për këtë, por edhe meqë do të mundësohet zhbllokim i punës së Këshillit të Komunës Qendër. Shpresoj se kjo do të ndodhë, meqë në të kundërtën do të hyjmë në disa skenarë që askush nuk i dëshiron", u shpreh Andrej Zhernovski, kryetar i Qendrës.

Mirosllav Shipoviq akuzohet për kriminalitet në aferën "Mashinopromet". MPB për këtë rast parashtroi kallëzime penale edhe kundër 10 anëtarëve të këshillit mbikëqyrës dhe drejtues, si dhe kundër disa të punësuarve në DAP. Mirosllav Shipoviq ishte arrestuar më 15 tetor në aeroportin e Vjenës. Natasha Stojanovska