A1 Report - Tre ministra, vizitën e fundit në Bruksel për Statusin,ja axhenda

2015-08-21 0

TIRANË - Tre ministra shqiptarë janë nisur drejt Brukselit në vizitën e tyre të fundit deri në muajin dhjetor, kur merret vendimi nga vendet anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë drejt BE.

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço janë nisur drejt Brukselit për një vizitë tepër të rëndësishme zyrtare, që ka si bazë raportimin për progresin e bërë që pas marrjes së mandatit nga qeveria e re, reformat dhe masat konkrete të ndërmarra deri tani për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit, njofton zyra e shtypit të Ministrisë së Integrimit.

Tre ministrat shqiptarë kanë planifikuar edhe një sërë takimesh të rëndësishme. Ditën e premte në datë 22 nëntor, ora 09:30 -- 10:15 tre ministrat do të kenë një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service), Pierre Vimont.

Në vijim në orën 11:00 -- 12:30 do të mbahet një panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga Joost Korte zv/DP i DP për Zgjerimin, dhe Rjelic, drejtor i Zyrës së SWP në Bruksel.

Nga ora 13:00 -- 14:30 do të zhvillohet një takim pune me ambasadorët e BE-se, Komisionit Europian dhe EEAS. Rreth orës 16:10 -- 17:10 është planifikuar një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malsmtrom.