Në bashkëpunim me homologët gjermanë, policia e shtetit ka nisur aksionin e gjerë për shkatërrimin e të ashtuquajturës "Mafia e Hamburgut" e cila dyshohet për prodhim dhe shpërndarje dokumentesh false; letërnjoftime, dokumente udhëtimi, patenta-shoferi të destinuara për banorë të Gjermanisë me status të parregulluar qëndrimi. Sipas MPB-së, personat në fjalë për t'u pajisur me një dokument të tillë kanë paguar nga 800 deri 1 mijë e 500 euro. Në Shkup gjatë aksionit të policisë u bastisën disa shtëpi dhe një agjenci turistike në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku policia ka gjetur prova bashkëpunimi me këtë rrjet falsifikatorësh.
'Sipas të dhënave të dokumentuara deri tani, dokumentet e falsifikuara përbëhen nga letërnjoftime, patenta-shoferi, nga Bullgaria, Greqia, Sllovenia, Belgjika, Italia dhe vende të tjera të BE-së dhe kryesisht kanë qenë të destinuara për persona nga Gjermania të cilët kanë pasur nevojë për dokumente të tilla të falsifikuara me qëllim realizimin e të drejtës për të qëndruar lirshëm në Gjermani por edhe të mund të udhëtojnë pa probleme në vende të tjera të BE-së. Përveçse disa shtëpive, është bastisur dhe një firmë në Shkup, bëhet fjalë për një agjenci turistike 'FBI eksport-import' nën dyshimin se ka ndihmuar gjatë kryerjes së veprave penale të dokumentuara gjatë aksionit policor', tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Sipas MPB-së, disa nga të dyshuarit e ndaluar për falsifikim dokumentesh janë nga Shkupi dhe disa të tjerë nga Hamburgu. Ndërkohë, aksioni i MPB-së është organizuar simultanisht edhe në Gjermani, me disa të prangosur. Valmir Kuçi