A1 Report - Korçë, drejtoritë arsimore refuzojnë diplomat e studentëve të Mësuesisë

2015-08-21 0

KORCE- Dhjetëra studentëve nga qyteti i Pogradecit të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor dhe Master në degën Pedagogji në Universitetin "Fan Noli" të Korçës, u refuzohen diplomat nga drejtoritë arsimore.

Shqetësimi është ngritur nga 22 studentë, të cilët thonë se diplomat e tyre janë refuzuar me arsyetimin se nuk kanë marrë ende titullin "Mësues", duke ua hequr të drejtën e dhënies më pas të Provimit të Shtetit dhe gjetjen e një pune.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Rektorit të këtij Universiteti, Gjergji Mero, i cili thotë se refuzimi i diplomave është bërë pa asnjë bazë ligjore.

Studentët kanë kërcënuar se tashmë do ta ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore duke paditur drejtoritë përkatëse, atë të Pogradecit dhe të Ersekës.