TIRANE- Opozita shqiptare, ose, më mirë, kreu real i saj, kanë patur, ndër të tjera, edhe një arsye të fuqishme -- aspak politike -- për të dalë me qendrimin "Jo" për hyrjen e armëve kimike siriane në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me afërsinë që ka baza ushtarake, e piketuar nga ana e amerikanëve për të kryer demontimin e tyre, me toka, tashmë të blera nga biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, lidhjet e të cilit me shumë fije me familjen Berisha nuk janë më sekret për askënd. Aty ku mbaron territori i kësaj baze ushtarako-detare, fillojnë tokat që janë blerë nga Fazlliçi disa vjet më parë. Në rast se do të bëhej botërisht e ditur që, ngjitur me pronat e tij, ndodhej arsenali i armëve kimike vdekjeprurëse të Assadit, kjo do të ndikonte edhe psikologjikisht që investitorë aktualë e të mundshëm të largoheshin nga investimet e tyre, që tashmë janë kryer apo do të kryheshin në këtë rajon, ku Fazlliçi ka blerë të paktën 50 hektarë. Kjo do të cenonte interesat e familjes së ish-kryeministrit, që del sërish në skenë edhe këtë herë si kreu real i opozitës shqiptare.