TIRANË - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, do të vizitojë Italinë në 12 dhjetor me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, kryesisht në fushën ekonomike. Lajmin e ka bërë publik vetë ambasadori Italian në Shqipëri, Massimo Gaiani gjatë vizitës së tij në studiot e televizioni A1 Report, ku dha edhe disa detaje mbi këtë vizitë të kreut të qeverisë shqiptare.
Duke folur në A1 Report për vizitën e Ramës, Gaiani tha se, "jemi ende duke punuar për këtë vizitë për të cilën kryeministri Rama ka shprehur gatishmërinë e tij, vizitë e cila do të ketë disa etapa në Itali". Sipas ambasadorit italian, "qëllimi i kësaj vizite është të njihet se cilat janë kërkesat e sipërmarrësve italianë në kuadër të mundësisë së ardhjes së tyre në Shqipëri me forma të ndryshme bashkëpunimi".