MPB, Jankullovska konfirmon avancimin e shqiptarëve

2015-08-21 1

Pas ristrukturimit të organeve të larta në kuadër të Ministrisë së Brendshme, numri i shqiptarëve në këtë dikaster ka shënuar rritje. Kështu shprehet Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska. Ajo nuk deshi të flas për numra se sa nga 12 njësitet e MPB-së në Shkup udhëhiqen nga shqiptarët, por kujtoi se kriter për përzgjedhje të këtyre kuadrove udhëheqëse në MPB asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë përkatësia etnike por cilësia e kandidatit që ka konkurruar për atë vend udhëheqës. ALSAT M mëson se shqiptarët kanë siguruar edhe një post udhëheqës, edhe atë në kuadër të Sektorit rajonal të Shkupit. Nga 12 kryeshefat e njësiteve në Shkup, shqiptarët udhëhiqnin vetëm 2, ndërsa tani e tutje do të udhëheqin me 3 njësite.

"Është fakt se kandidatët, të punësuarit tanë nga bashkësitë jo-shumicë në vend kanë të drejta të njëjta sikur edhe të gjithë të punësuarit tjerë në MPB dhe gjatë rikonstruimit të fundit të Byrosë për Siguri Publike, gjegjësisht përzgjedhjes së eprorëve të ri ka rritje të përqindjes së kandidatëve ose tani më të personave të emëruar në pozita adekuate udhëheqëse e të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë, kështu që kjo vetëm tregon se personat të cilët kanë potencial të mjaftueshëm dhe plotësojnë kushtet ligjore, asnjëherë nuk do të kenë pengesa që të lëvizin përpara në karrierë", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ministrja e brendshme Jankullovska foli sot edhe për incidentet në autobusë. Ajo tha se organet e rendit punojnë intensivisht që të zbardhen të gjitha incidentet duke shtuar se dikasteri të cilin e drejton nuk funksionon në mënyrë selektive.

"Të jemi më preciz, na ka mbetur edhe një incident që nuk është zbardhur dhe në këtë incident po punohet dhe ashtu siç u zbardhën të gjitha incidentet tjera paraprake d.m.th mbi 150 persona tani më përgjigjen për pjesëmarrje në incidente mes të rinjve të shkollave të mesme. Në moment kur do të kemi të gjitha dëshmitë e duhura, gjithsesi se do të ngremë padi adekuate kundër pjesëmarrësve", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ndërkohë që mbetet akoma pa u zbardhur incidenti i fundit në autobusin 65, për të cilin policia thotë se është duke punuar intensivisht për kapjen e autorëve të këtij incidenti. Valmir Kuçi