UEJL shënon 12 vjetorin e themelimit

2015-08-21 0

Me një ceremonial akademik dhe festiv, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë shënoi sot 12 vjetorin e themelimit të tij. Në këtë aktivitet nuk mungonin të ftuar nga Universitetet e tjera të vendit, Shqipërisë dhe Kosovës. Ministri i Arsimit Spiro Ristovski tha se UEJL ka arritur që përveç arsimit të lartë cilësor, të ndërtojë edhe vlerën më të rëndësishme të shoqërisë sonë, multi-kulturalizmin, e bazuar në mirëkuptimin ndëretnik. Para të pranishmëve foli edhe rektori Zamir Dika, i cili theksoi se ky investim i ngulitur thellë në ndërkombëtarizimin e një universiteti ballkanas ishte vizionar pasi sot, ndërkombëtarizimi është fjala kyçe e çdo universiteti që ka pretendime konkurruese globale. Në fund të ceremonisë, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë i ndau titullin "doktor Honoris Causa" studiuesit të njohur Arbëresh, Françesko Altimari, një personalitet i shquar i shkencës së albanologjisë dhe të letrave shqipe.

"Sot universiteti ynë udhëhiqet nga kjo frymë, pasi një e treta e anëtarëve të bordit janë përfaqësues të themeluesve ndërkombëtarë. Pikërisht nga ky universitet janë diplomuar mbi 8500 studentë në të tre ciklet studimore, në universitet aktualisht studiojnë mbi 5000 studentë në fakultete dhe dy institute hulumtuese. Në këtë vit akademik në 15 programe të ciklit të parë dhe 26 të ciklit të dytë dhe 12 të ciklit të tretë kanë aplikuar 15 % studentë më shumë se vitin e kaluar. Ky lajm për mua është tregues i fitores së cilësisë ndaj diplomave në numër tregues i nevojës së integrimeve evropiane dhe nevojës së tregut të konkurrencës karshi tendencave të tranzicionit të pa përfunduar, tregues i shpresës dhe aspiratave për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies në të mirë të njerëzve në këto troje", deklaroi Zamir Dika, Rektor i UEJL-së. Alsat-M