A1 Report - Totozani tek Komisioni i Ligjeve: Policia tek pallati i "Bashës" ishte shkelje

2015-08-21 0

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka deklaruar se, bllokimi që policia i ka bërë pallatit të "Bashës", në Vlorë është i paligjshëm. Deklarimin i tij është bërë në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë një raportimi.

"Jemi duke studiuar të vetmen ankesë nga problematikat që na kanë ardhur këto ditë, të vetmen ankesë në lidhje me pallatin në Vlorë, nga avokatja Erinda Ballanca", ka deklaruar gjatë raportimit në Kuvend, Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Gjithashtu Totozani, ka sqaruar edhe pozicionin e institucionit që ai drejton. "Përsa na takon si institucion i Avokatit të Popullit, i kemi bërë rekomandim ministrit Tahiri për këtë gjë pasi kemi konstatuar që policia në pallat gjendet në mënyrë të paligjshme", ka deklaruar Totozani.

Sipas tij, paligjshmëria e policisë tek pallati i kompleksit "Jon", ka qenë pasi, nuk ka pasur "një urdhër administrativ". Për Totozanin edhe "vendosja e një shiriti me shkrimin skenë krimi për ne është konsideruar gjithashtu një shkelje".

Pas bllokimit të pallatit nga policia, në Vlorë, Avokati i Popullit dërgoi atje dy inspektorë të tij, të cilët verifikuan gjendjen dhe situatën e banorëve të cilët pretendonin se uniformat blu nuk lejonin hyrjen e tyre nëpër banesa.