A1 Report - Bulqizë, galeria pa siguri, pesë minatorë tentojnë të vetëdigjen

2015-08-21 0

TIRANE- Pesë minatorë të zonës "D" në minierën e Bulqizës kanë tentuar të vetëdigjen në shenjë proteste nga pezullimi i punës në këtë galeri. Prej mëse 10 ditësh Ministria e Energjisë dhe Industrisë mbylli galeritë e zonës D për shkak se nuk plotësonin kushtet e sigurisë, duke pezulluar njëherësh, licencën e kompanisë "Tur Alb", që operon si nënkontraktor i koncensionit "Albanian Chrome", nen pronësinë e biznesmenit Samir Mane.

Sipas kreut të Sindikatës, Agron Basha, janë 105 minatorë të cilët prej 10 ditësh nuk punojnë dhe se askush nuk i ka dhënë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me ta.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë e cila rithekson problemet e mëdha të konstatuara në zonën D në Bulqizë, nga inspektimi i realizuar nga Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

"Duke e konsideruar prioritet jetën e minatorëve, Ministria e Energjisë dhe Industrisë refuzon çdo akt që bie ndesh me këtë parim dhe i kërkon Policisë së Shtetit që të hetojë çdo rast presioni që zotërues të lejeve minerare ushtrojnë në mënyrë direkte apo indirekte ndaj institucioneve shtetërore për të neglizhuar zbatimin e ligjit dhe standardeve minerare në marrëveshjet kontraktuale", nënvizohet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.