Përfaqësimi i shqiptarëve në MPJ, ministri 'gënjen'?!

2015-08-21 0

Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) është larg 23%, shifër të cilën e deklaroi në Kuvend ministri i jashtëm Nikolla Poposki. Alsat M mëson 23% shqiptarë kanë qenë të punësuar në Ministrinë e jashtme para ardhjes së Poposkit në funksionin e ministrit. Por kjo përqindje është ulur pas punësimit të 51 nëpunësve të rinj në këtë Ministri. Prej tyre 50 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptarë.

"Kishte pyetje rreth përfaqësimit, supozoj se kishte të bënte me bashkësinë etnike shqiptare e cila në Ministrin e Jashtme është afro 23%" , deklaroi ditë më parë Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Deklaratën e tillë të ministrit e demanton edhe raporti i fundit i Avokatit të Popullit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ku thuhet se në Ministrinë e Jashtme shqiptarët janë të përfaqësuar me 19,2%. Kjo shifër i referohet vitit 2012, por prej kur kanë vijuar punësimet e maqedonasve, përqindja e shqiptarëve ka vazhduar të ulet. Ndërkohë në misionet diplomatike përfaqësimi është edhe më i mjerueshëm. Në mesin e 48 ambasadorëve të Maqedonisë në shtetet e jashtme dhe organizatat ndërkombëtare, ka vetëm 4 ambasadorë shqiptarë, apo 8.3%. 34 ambasadorë, ose 70.8% janë maqedonas, serbët kanë 2 ambasadorë, dhe një është boshnjak, ndërsa 7 vende ambasadorësh mbeten të lira. Përfaqësim i ngjashëm është edhe tek konsujve e përgjithshëm. Prej 8 konsujve ka vetëm 1 shqiptarë, po aq turq dhe 5 maqedonas, ndërsa një post konsuli është i zbrazët. Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se në politikën e tyre kadrovike, faktorë vendimtarë janë kualiteti, aftësitë diplomatike dhe përkushtimi profesional, dhe se nuk marrin parasysh përkatësinë etnike, racore e fetare. Megjithatë Ligji i ri për punë të jashtme, i hyrë në fuqi në qershor të këtij viti, obligon Ministrinë e Jashtme të respektojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

"Gjatë bërjes së politikës kuadrovike në Ministri respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike, si dhe parimi i barazisë gjinore dhe mos diskriminimit", thuhet në nenin 63A të Ligjit për Punë të jashtme".

Mos respektimi i këtij neni nga ana e ministrisë arsyetohet me dinamikën e shpeshtë të ndryshimit të kuadrove, që sipas tyre sjell batica e zbatica të përkohshme të përfaqësimit të drejtë. Benjamin Arifi