TIRANE- Gjimnazistët e shkollës "Çajupi" kanë bojkotuar sot mësimin në shenjë proteste ndaj drejtorit të shkollës.
Sipas nxënësve Vladimir Bodeci ka vënë në regjistër vërejtje disiplinore, thyerje të notës në dispilnë për gjimnazistët të cilët të enjten dhe të premten e kaluar bojkotuan shkollën për tju bashkuar protestës para kryeministrisë për t'i thënë "jo armëve kimike".
Kjo mund të ndikojë tek maturantët pasi rrezikojnë të mos hyjnë në provimet e maturës.
Sot paradite nxënësit në oborrin e shkollës thërrisnin "E duam, shkollën pa politikë" dhe nuk pranuan të hynin në mësim. Nga ballkoni i shkollës, drejtori i bëri thirrje nxënësve të hyjnë në shkollë dhe sqaron se asnjë nxënës nuk i është dhënë masa thyerje e notës në sjellje, por i është dhënë vetëm një vërejtje disiplinore.
Nxënësit thonë se dolën në protestë për të mbrojtur një të drejtë të tyre.