Konfiskohen 18 mijë palë këpucë, Jankullovska s'ka ide për asgjë

2015-08-21 2

Drejtoria e Doganave në bashkëpunim me policinë kanë konfiskuar rreth 18 mijë palë atlete, këpucë e çizme të markave botërore të importuara ilegalisht në Maqedoni. Artikujt janë zbuluar të deponuara në hangarë të cilët janë në pronësi të shtetit, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes. Malli është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë të patrullës policore. Ekspertiza e mëtejshme do të tregojë nëse bëhet fjalë për artikuj origjinale apo të falsifikuara.

"Bëhet fjalë për rreth 18 000 palë këpucësh. Pjesa më e madhe, mbi 7 mijë janë të marka NIKE, rreth 7 mijë Adidas, ka edhe CAT, Timberland, marka të tjera këpucësh, shumica sportive. Vlera e mallit, nëse është fals, duhet të jetë rreth 70 mijë euro, por nëse shiten me pakicë si origjinale, atëherë vlera e tyre do të jetë mbi 500-600 mijë euro, që do të thotë shmangie e mbi 15 milion denarëve taksë", u shpreh Vanço Kargov, drejtor i doganave.

Nuk dihet se si sasia e tillë e mallit ka arritur të kalojë kufirin shtetëror dhe të importohen ilegalisht në Maqedoni.

"Është vështirë të thuhet konkretisht për këtë mall se si ka arritur të kalojë kufirin shtetëror, por kontrabandistët e mallrave përdorin metoda nga më të ndryshmet për kontrabandim. Ne, por edhe ju keni qenë dëshmitarë se në automjete bëhen bunkerë specialë dhe një pjesë e mallit importohet ilegalisht, por në kalim të ligjshëm kufitar, nëse nuk zbulohet gjatë kontrollit të automjetit. Por nuk hedhim poshtë mundësinë që të kenë kaluar edhe në zona ku nuk ka kalim kufitar", tha Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme.

Ministrja e Brendshme nuk kishte njohuri nëse gjatë këtij aksioni policor ka pasur persona të arrestuar.

Gazetari: A ka të persona të arrestuar gjatë aksionit? Janë takuar persona në vendngjarje?
Jankullovska: A kemi?!...
Kargov: Jo... Po... Domethënë ka një person i cili ka nënshkruar procesverbalin për këtë mall.

Për policinë nuk janë të njohur as pronarët e mallit. Ndërkohë dogana njofton se këpucët e konfiskuara do t'i nënshtrohen ekspertizës për të vërtetuar origjinalitetin e tyre. Nëse rezultojnë si marka origjinale, do të mbeten si provë materiale në procesin gjyqësor. Nëse rezultojnë te jenë të falsifikuara, ato do të shkatërrohen, ose me aprovimin e markave tregtare do të jepen si donacion pas heqjes së logove të keqpërdorura. Benjamin Arifi