Vazhdojnë incidentet në Shkup, viktimë nxënësit

2015-08-21 1

6 fëmijë të lënduar është bilanci i incidentit të rëndë, të ndodhur mbrëmë në fshatin Stajkovcë të Shkupit. Autobusi me numër 65 është ndaluar nga 2 vetura pa targa, nga të cilat kanë zbritur 10 persona të maskuar dhe kanë rrahur nxënësit në autobus. Mes të lënduarve gjendet edhe një vajzë. Policia ka konfirmuar incidentin duke informuar edhe për dy incidente të tjera më të vogla gjatë ditës së djeshme.

"Gjatë ditës së djeshme kishte disa incidente. Më serioz ishte incidenti që ndodhi rreth orës 20:00 ku 6 persona janë ankuar nga lëndime... bëhet fjalë për persona të mitur, pra fëmijë. Edhe për këtë incident, por edhe për incidentet e tjera që kanë ndodhur dje, përfshi këtu incidentin e orës 13:00 në rrugën "Brigada e Tretë Maqedonase" dhe incidentin në bulevardin Boris Trajkovski... pra për të tre incidentet e ditës së djeshme ne po punojmë intensivisht dhe kemi marrë të gjitha masat dhe aktivitetet që janë nën kompetencat tona", deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë nata e mbrëmshme ka mundur të përfundojë me bilanc akoma më tragjik. Pas lajmit për rrahjen e nxënësve nga fshati Stajkovcë, banorët maqedonas të këtij fshati i kanë dalë në pritë autobusit me numër 65A, që transportonte nxënësit shqiptarë nga fshati fqinj Straçinca. Para syve të policisë, nxënësit janë mbajtur peng rreth 2 orë, deri sa në vendngjarje kanë arritur edhe banorët e Straçincës. Kryetari i Bashkësisë Lokale të Straçincës Adnan Hajrullai thotë se përpjekja për hakmarrje e banorëve të Stajkovcës ka qenë e pashpjegueshme, pasi shkaktarët e incidentit të mëparshëm nuk kanë qenë banorë të Straçincës.

"Nxënësit tanë të Straçincës duke u kthyer nga shkolla, banorët e Stajkovcës, të ri e të vjetër, dalin e ndalojnë autobusi. Aty ishin prezent edhe policia, një numër i madh i policisë. Dy orë e ndalojnë autobusin, nuk i lejojnë fëmijët të kthehen në shtëpitë e veta. Fëmijët e fshatit Straçincë asnjëherë nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë incident, ndërsa kjo është hera e tretë që u bëjnë pengesa të kthehen në shtëpitë e veta" , u shpreh Adnan Hajrullai, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Straçincës.

Vala e incidenteve ka vazhduar edhe sot. Rreth orës 12:00 në stacionin hekurudhor të Shkupit është sulmuar një tjetër nxënës. Disa të rinj, ende të panjohur për policinë, kanë rrahur të miturin që udhëtonte me autobusin me numër 7. Nga ana tjetër Jankullovska mohoi neglizhencën e policisë për parandalimin e incidenteve të tilla. Ajo tha se fajtori për incidentet duhet të kërkohet më gjerë dhe të trajtohet si fenomen sociologjik, e jo të shihet si dështim i sistemit parandalues të sigurisë.
Benjamin Arifi