"Telekabell" nuk e transmeton sinjalin e televizionit Alsat M prej dy ditësh tashmë me radhë. Pas ankesave të shumta nga qytetarë të komunës së Karposhit, Aerodromit, Tetovës dhe rrethinave tjera të Shkupit, ne pyetëm Telekabellin se përse televizionin Alsat nuk mund të shikohet, edhe pse ALSAT, siç parashikon ligji duhet të transmetohet sepse është televizion kombëtar, dhe se së dyti, shfrytëzuesit e shërbimit kabllor kanë paguar për këtë punë. Shikuesit shqiptarë por edhe maqedonas që kanë paraqitur ankesa pranë "Telekabell" nuk deshën të prononcoheshin publikisht për kamerën tonë. Megjithatë ata kërkojnë zgjidhjen sa më shpejt të kësaj çështjeje. Ndërkaq, për sa i përket të drejtave të shfrytëzimit të shërbimeve kabllore, në kontratën e "Telekabell", në nenin 3 të tij thuhet:
"Operatori i Rrjetit Elektronik të Telekominikimit Publik është i obliguar, sipas nenit 86 të ligjit, që t'i mundësojë parapaguesit shërbim cilësor të programeve radiotelevizive që transmetohet përmes rrjetit ditor të tij, përkatësisht t'u sigurojë shfrytëzuesve mundësi teknike për marrjen e shërbimit të të gjitha programeve radiotelevizive që transmetohen në atë zonë" .
Kërkuam shpjegim edhe nga Këshilli për Radiodifuzion se çfarë dënimesh duhet t'i caktohen Telekabellit për mos transmetimin e sinjalit të një televizioni kombëtar, por edhe nga ata nuk arritëm të marrim përgjigje për shkak se kryetari dhe nënkryetari i këtij këshilli ishin në udhëtim zyrtar. ALSAT nuk e ka ende të qartë shkakun e ndërprerjes së transmetimit, edhe pse ai mundësohet me ligj, dhe përse qytetarëve iu hiqet e drejta për të parë këtë televizion. Nuk ka as ndonjë paralajmërim për defekte ose punime nga ana e operatorit që mund të shkaktojnë bllokimin e transmetimit. Televizioni Alsat i bën thirrje publike operatorit Telekabell që t'i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve përse ka ndërprerë transmetimin e sinjalit tonë. Ferikan Iljazi