TIRANE- Nëse qeveria shqiptare merr një vendim lidhur me çështjen më të diskutuar gjatë ditëve të fundit, në vendin tonë nuk do të vijnë armë kimike, por bëhet fjalë për lëndë kimike. Këtë fakt e ka sqaruar në studion e "A1 Report" Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Ministri është ndalur tek përgjegjësitë e vendit tonë për të dialoguar me partnerët ndërkombëtarë. Ahmetaj e quan legjitime protestën e qytetarëve për shqetësimin e tyre, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare nuk ka marrë një vendim. "Është përgjegjësi që të dialogosh me partnerët ndërkombëtarë, dhe me partnerin tonë strategjik, që janë SHBA. Jo vetëm që qeveria nuk ka marrë asnjë vendim, por as nuk do të marrë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, dhe për çdo vendim që do merret, do të merret mendimi qytetar. Ne e respektojmë protestën e qytetarëve të thjeshtë, e konsiderojmë legjitim shqetësimin e tyre. Në emër të qeverisë them se nuk ka vendimmarrje. Nuk bëhet fjalë për armë kimike, por janë lëndë kimike. Pavarësisht frikës legjitime që mund të ketë çdokush, duhet të themi se nuk janë armë kimike. Qeveria nuk do marrë vendim kundër interesave të shqiparëve. Do e dëgjojë popullin me shumë vëmendje", tha Ahmetaj. Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ritheksuar se qeveria shqiptare është ende në një kuadër bisedimesh, ndërsa ka shpjeguar se, në rast do të merrej një vendim i tillë, procesi do të realizohej nga specialistët e huaj, dhe mbetjet do të çoheshin diku tjetër.