TIRANË - Strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me organet doganore homologe, zbuluan një maksi-mashtrim në fushën e deklarimit në doganë të makinerive të lojërave të fatit.
Kompania "Saturn Games" ka deklaruar në degën e doganës Tiranë, në import, 65 copë makineri lojëra fati me vlerë 37 mijë euro. Gjatë kontrollit dhe hetimit të kësaj praktike doganore rezultoi se vlera reale e kësaj ngarkese në deklaratën e eksportit është 468 mijë euro.
Kompania "Saturn Games", me anë të paraqitjes në degën e doganës Tiranë të dokumentacionit të falsifikuar, ka shmangur detyrimin doganor në shumën 11 milionë e 793 mijë lekë. Për këtë shkelje të klasifikuar si kontrabandë, kompania është penalizuar në shumën 35 milionë e 380 mijë lekë. Në total, detyrimi i munguar dhe penalitetet arrijnë në shumën 47 milionë e 174 mijë lekë.
Për këtë çështje u depozitua dhe kallëzimi penal pranë Prokurorisë së Tiranës nga ana e DPD-së, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet për raste të ngjashme.