Televizionet kërkojnë tërheqjen e ligjit, është miratuar prapa shpine dhe pa debat

2015-08-21 4

Të tërhiqet Ligji i ri mbi veprimtarinë filmike. Kështu kërkuan televizionet private kombëtare Alsat M, Kanali 5, Sitel, Telma dhe Alfa. Përfaqësuesit e televizioneve e quajtën këtë ligj, një haraç klasik dhe shkatërrim sistematik të industrisë mediatike. Me Ligjin, i cili do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, parashikohet që 1,1 % e të ardhurave bruto vjeçare të televizioneve, të shkojnë në Agjencinë e Filmit që do të formohet në vend të Fondit të Filmit. Përfaqësuesit e mediave janë të shokuar për shkak se nuk kanë qenë informuar në kohë lidhur me ligjin që i dëmton rëndë. Ata janë të gatshëm të ulen në takim me ministren e Kulturës.

"Ne kemi pasur disa takime, deri tani, me ministren e Kulturës... për këtë çështje, por edhe çështje të tjera... pikërisht në të njëjtën periudhë, kur prapa shpine përgatitej drafti që tani është miratuar në ligj. Nga ana jonë, konstruktiviteti nuk ka munguar kurrë. Takim sa për sy e faqe nuk pranojmë. Ne kërkim takim që të na çojë drejt një zgjidhje që kërkojmë, tërheqjen e ligjit, përkatësisht të pjesës që na prek ne në mënyrë të padrejtë. Ankesë në Gjykatën Kushtetuese sigurisht që do të ketë. Ne do t'i përdorim të gjitha mënyrat tona ligjore", deklaroi Bisera Jordanovska-Anastasieviq, drejtore e Alsat M.

"Kur do të shtohen 1,1 % për industrinë e filmit, rezulton se televizionet nga qarkullimi vjetor duhet të ndajnë 5,5 për qind të parave. Si mundet ndonjë kompani komerciale në Maqedoni, nuk flas për ato jashtë, që përveç tatimeve ekstra themelore siç janë TVSH-ja, tatimi personal, të ketë edhe tatim shtesë prej 5,5 %? Ky është një haraç klasik nga ministria", tha Goran Gligorov, Sitel TV.

Përfaqësuesit e televizioneve private kombëtare thonë se tani është koha që t'i thuhet "ndal" këtyre tatimeve, sepse ata nuk mund të përballojnë mbledhjen e vazhdueshme të haraçit nga Ministria e Kulturës.

"Jemi këtu sot që të ngremë zërin se nuk mund të pranojmë më tatime të tjera, për shkak se frika është e madhe.. do të hapet kutia e Pandorës dhe ky fenomen nuk ka për të marrë fund kurrë. Askush nuk na garanton që nesër nuk do të telefonojë kombëtarja e futbollit e Maqedonisë, dhe të thotë se ne nuk kemi para për kualifikimet e ardhshme, pra, paguani nga 2%", u shpreh Ivan Mirçevski, drejtor i Kanal 5.

Me Ligjin e ri për veprimtari filmike janë prekur edhe operatorët kabllorë të cilët duhet të ndajnë nga 2,5 % të të ardhurave të përgjithshme. Subjektet që ofrojnë vetëm shërbime interneti, sipas ligjit, duhet të paguajnë 2,5 % ndërsa personat juridikë që kryejnë shfaqje filmash në kinema do të ndajnë 5 % nga të ardhurat e tyre të përgjithshme. Kompanitë që kryejnë shpërndarjen, marrjen me qira ose shitjen e filmave do të duhet të paguajnë 3 % ndërsa ata që organizojnë lojëra fati ose argëtuese do të paguajnë nga 1,3 % të të ardhurave. Bojana Simonoviq

Free Traffic Exchange