Ambasadori i Shqipërisë Arben Çejku, në takimin e lamtumirës me krerët e dy partive politike shqiptare në Tetovë Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin, la porosinë e të qenit bashkë, kur në pyetje janë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai porositi liderët që në ndjekin vazhdën e dialogut, si ai i qershorit të 2011-ës apo darkës së fundit me kryeministrin e Shqipërisë Rama.
"Qëllimi kryesor ka qenë që edhe në këtë vizitë lamtumire, të jap mesazhin se pavarësisht dallimeve programore politike, luftës politike, të ketë unitet në vizion për interesat e shqiptarëve në Maqedoni, për integrimin dhe zhvillimin e Maqedonisë për bashkëpunimin dypalësh rajonal", tha Arben Çejku, Ambasador i Shqipërisë.
Thaçi e Ahmeti falënderuan ambasadorin Çejku për kontributin e tij në marrëdhëniet dy palëshe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, përmes arritjes së një sërë marrëveshjesh të përbashkëta.
"Ambasadori Çejku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtim të përkujtimit të shumë ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët, në drejtim të afrimit të dy shteteve tona, në drejtim të krijimit të klimës sa më të mirë për bashkëpunim ndërshtetëror në të gjitha fushat. Ky nuk është takimi i fundit dhe unë nuk i kam thënë lamtumirë ambasadorit Çejku, por i kam thënë mirupafshim në misionet e ardhshme", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
"Unë e sigurova ambasadorin që në asnjë moment nuk kam menduar se ambasadori mund të ketë ndonjë qëllim negativ për PDSH-në, në Maqedoni për shqiptarët. Gjithmonë i kam mirëpritur iniciativat e tij dhe e sigurova që do vazhdojmë të jemi miq, shokë dhe do vazhdojmë të bashkëpunojmë pavarësisht prej pozicioneve ku do gjendemi", theksoi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Arben Çejku u emërua ambasador në Maqedoni në vitin 2005. Ai do të ushtrojë këto post deri më datën 18 nëntor. Deri tani, qeveria e re e Edi Ramës ende nuk ka komunikuar ndonjë emër pasues në postin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup. Bashkim Sulejmani