Çështja e emrit, LSDM: Gruevski ikë nga konsenzusi

2015-08-21 0

Në prag të Samitit të dhjetorit të BE-së, Qeveria ka mbledhur të gjitha forcat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ministri i jashtëm Nikolla Popovski deklaroi se autoritet e vendit do të përqendrohen që periudhën e ardhshme të afrojnë qëndrimet me Greqinë, me qëllim që të arrihet konsensusi në Këshillin Evropian. Pa dritë jeshile nga fqinji jugor Maqedonia për të pestin vit me radhë do të humb shansin për të marrë datën për çeljen e negociatave me BE-në.

"Aktualisht jemi të përkushtuar që më shumë energji t'i kushtojmë Samitit të dhjetorit, respektivisht çështjes kyçe që po mban të bllokuar vendin tonë për të pestin vit me radhë, e kjo është mungesa e mbështetjes së fqinjit tonë jugor që të arrihet konsensusi në Këshill. Pa arritjen e konsensusit nuk është e mundur marrja e vendimit për fillimin e negociatave me BE-në, që gjë prej presë vitesh po rekomandohet nga KE-ja. Aktivitetet tona do të jenë të fuqishme dhe intensive edhe gjatë periudhës deri në Këshillin e dhjetorit, por edhe më tutje, pasi për Maqedoninë është e domosdoshme fillimi i bisedimeve me BE, ndërkaq këtë e konstatoi edhe vetë BE-ja", tha Nikolla Popovski, Ministër i Jashtëm.

Megjithatë opozita maqedonase sot edhe një herë akuzoi kryeministrin Gruevski se në mënyrë të rrejshme bën thirrje për konsensus politik rreth çështjes së emrit. Kjo sipas LSDM-së dëshmohet nga fakti që Gruevski me këmbëngulje shmang propozimin e LSDM-së për arritjen e konsensusit politik, duke monopolizuar plotësisht këtë çështje.

"Kundërshtimi i kryeministrit për arritjen e konsensusit politik rreth çështjes së emrit të shtetit tonë, në mënyrë legjitime hap dilemën se çfarë kompromisi për emrin ka pranuar Gruevski dhe nëse kompromisi i tillë dëmton interesat kombëtare maqedonase?! Për rikujtim, partneri i koalicionit të Gruevskit, Ahmeti vetëm pra pak ditësh deklaroi se pushteti është më afër se kurrë për të zgjidhur çështjen e emrit", u shpreh Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Nga LSDM-ja vlerësojnë se Gruevski dhe VMRO DPMNE-ja shfrytëzojnë emrin vetëm për interesat e ngushta partiake, duke mos mbajtur llogari për dëmin që i shkaktojnë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Semra Jakupi