'A1 Report' në Ramallah për 9-vjetorin e vdekjes së Arafatit

2015-08-21 0

RAMALLAH - Mijëra palestinezë dhe njerëz të ardhur nga vende të ndryshme të botës kanë përkujtuar sot liderin historik Jaser Arafat në 9-vjetorin e tij të vdekjes. E pranishme për në këtë ngjarje ka qenë ekskluzivisht edhe gazetarja e "A1 Report", Eriona Rusi. Për herë të parë një gazetare shqiptare shkon në Ramallah. Gazetarja Rusi informon se procesioni i gjatë gati 5 km që nisi në sheshin `Tre akset` në Ramallah, i parapriu ceremonisë pranë varrit të Araft në Rezidencën presidenciale Muqata. Qindra të rinj, madje edhe fëmijë të moshave të vogla, mbanin në duar flamujt palestinezë, portretin e liderit të tyre dhe pishtarë ndërsa parakaluan përgjatë qytetit nën gjëmimin e daulleve dhe me një marsh gati ushtarak. E gjithë atmosfera ishte e jashtëzakonshme, gjithashtu vihej re prania e madhe e turistëve të ardhur që nga Kina dhe deri tek vendet e Ballkanit, si Shqipëria dhe Bosnja, për të parë këtë ceremoni të jashtëzakonshme që zgjati për disa orë. Gjatë gjithë marshimit, zëri i një të djali shoqëronte parakalimin e të rinjve, duke përcjellë momente të rëndësishme të jetës së Arafat dhe pjesë nga fjalimet e tij. Pas procesionit, parakalimi përfundoi pikërisht në rezidencën presidenciale ku prehen eshtrat e Arafat, ku personalitete të larta politike, fetare, familjarë, miq e të afërm dhe qytetarë të thjeshtë nderuan liderin e tyre. Të parët që vendosën kurora ishin kryeministri palestinez dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij, për të vijuar më pas me anëtarë të Organizatës për Clirimin e Palestinës, liderët e Al Fatah dhe drejtues të lartë ushtarakë, çka u pasua nga nderimi i mijëra qytetarëve, të cilët shtynin njëri-tjetrin, që të arrinin të futeshin brenda hollit ku qëndron varri i Arafat. Por ky 9-vjetor i vdekjes së tij, i gjen palestinezët ende pa një zgjidhje për çështjen e Palestinës, pasi bisedimet me Izraelin janë në një ngërç të plotë, ndërsa nga ana tjetër ende nuk ka një version të saktë për vdekjen e Arafat 9 vite më parë.