Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi në pjesën e dytë të intervistës së tij për gazetën "Shqiptarja.com" thotë se për krimet që ka kryer, duke përmendur 21 janarin dhe për abuzimet me pushtetin ish-kryeministri Berisha dhe bashkëpuntorët e tij duhet të ishin dënuar me burgim të përjetshëm tani, dhe të ishte bërë konfiskimi i pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.
Për të, krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të ishte një plus për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit e krimit, ndërsa shprehet pro shkrirjes së Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese. Njëherësh ai nuk ka munguar që të shprehet në lidhje me situatën brenda PD, ku sipas tij pa u larguar Berisha nuk do ketë asnjë të përpjetë për këtë parti, e cila është e kapur. Nga ana tjetër ai vlerëson lëvizjet e kryeministrit Rama për auditin ndërkombëtar si dhe për përfshirjen e grave, në të gjitha nivelet e qeverisjes.